Aplikim online edhe për licenca në aktivitetin e fermave

Personat që duan të pajisen me licencë për mbarështimin e kafshëve në një fermë të madhe agroblegtorale, tashmë mund të marrin këtë shërbim duke klikuar në portalin e-Albania. Aplikanti, para se të përdorë shërbimin, duhet të marrë dokumentet e nevojshme nga institucionet përkatëse që i japin ato. Shërbimi ofron mundësinë e ngarkimit të dy llojeve të dokumenteve:

-Dokumente origjinale të skanuara nga aplikanti, të cilat nevojiten të dorëzohen origjinale pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) pasi është kryer aplikimi online.

-Dokumente me nënshkrim elektronik, të cilat nuk duhet të dorëzohen pranë QKB-së. Për të marrë dokumente me nënshkrim elektronik, aplikanti duhet t’i kërkojë punonjësit të institucionit që gjeneron dokumentin që ta ngarkojë atë të nënshkruar elektronikisht në sistemin e AMS-së (Application Management System). Pas ngarkimit nga punonjësi i institucionit, aplikanti mund ta shkarkojë dokumentin e nënshkruar elektronikisht te “Hapësira ime”, në seksionin “Dokumentet e mia” tek E-Albania.

Pas përfundimit të aplikimit online, aplikanti duhet të dorëzojë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (me postë apo në sportel) versionin origjinal të dokumenteve të skanuara. Vetëm pasi të jenë dorëzuar këto dokumente në QKB, do të vijohet me trajtimin e aplikimit nga organet përkatëse brenda dhe jashtë këtij institucioni.

Nëse aplikimi për licencën e kërkuar aprovohet, aplikantit do t’i shfaqet licenca në profilin e tij tek E-Albania, në seksionin “Dokumentet e mia” te “Hapësira ime”. Gjithashtu aplikanti mund të tërheqë dokumentin e licencës në sportel, në rast mosaprovimi të dokumenteve apo licencës, aplikanti do të njoftohet me anë të e-mail-it edhe mbi arsyen e mosaprovimit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet