Basha me fermerë të Divjakës: Asnjë ndihmë konkrete për bujqësinë

Kryetari i Partisë demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot takime me banorë dhe fermerë të Divjakës dhe Karbunarës, lidhur me situatën në sektorin e bujqësisë.

Basha tha se “asnjë ndihmë konkrete nuk është dhënë deri më sot për këtë sektor që si e gjithë ekonomia po vuan pasojat e pandemisë ekonomike të qeverisë Rama”.

“Fermerët janë të shqetësuar për koston e shtuar të prodhimit dhe konkurrencën e pandershme nga produktet e importit të cilat vijnë të subvencionuara nga vendet e origjinës. Produktet e tyre, edhe pse shumë cilësore, kalben ose groposen bashkë me investimin dhe djersën e tyre”, tha ai.

Basha tha se “ekonomia shqiptare është në krizë të thellë, papunësia po rritet çdo ditë, konsumi është në kolaps dhe njerëzit kanë çdo ditë e më pak mundësi për të blerë”.

“Bujqësia shqiptare dhe fermerët përballen me falimentim ekonomik, sepse edhe para pandemisë nuk kishin asnjë mbështetje. Sot ata kanë nevojë për përkrahje financiare dhe masa konkrete e jo fjalë boshe në Facebook”, tha ai.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet