Bizneset më të preferuara për shqiptarët

Sipas QKR, për periuidhën 8-mujore Janar-Gusht, pjesa më e madhe e bizneseve të reja e llogaritur në 34%, i përket sektorit të tregtisë me pakicë dhe pak me shumicë

TIRANE - Shqiptarët preferojnë bizneset e tregtisë me pakicë më shumë se sektorët e tjerë. Sipas të dhënave që ofron Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR), për periudhën 8-mujore Janar-Gusht, pjesa më e madhe e bizneseve të reja e llogaritur në 34%, i përket sektorit të tregtisë me pakicë dhe pak me shumicë. Në këtë kategori përfshihen tregtia me shumicë dhe pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, artikujve shtëpiakë, makinerive, pajisjeve e pjesëve të tjera, pajisjeve të informacionit dhe teknologjisë së komunikimit (ITC), tregtia me shumicë e lëndëve të para bujqësore dhe kafshëve të gjalla etj. Në 8 muajt janar-gusht, u regjistruan 28% më shumë biznese të reja, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total sipas të dhënave nga QKR, për periudhën Janar-Gusht janë regjistruar 15.726 biznese të reja. Vetëm në 15-ditëshin e parë të muajit Shtator janë regjistruar edhe 8371 biznese të reja, ose 50% e gjithë bizneseve të reja të regjistruara në të njëjtën periudhë të 2014-tës. Në 8 muajt e parë gjithashtu vërehet rritje e regjistrimit si biznese të reja për sektorin e hotelerisë dhe shërbimit ushqimor, kryesisht restorante, duke zënë rreth 26% të regjistrimeve. Më pak biznese janë hapur në degën e industrisë përpunuese, që përbëjnë rreth 7%. Në këtë grup përfshihen prodhimi i drurit dhe produkteve të tij, letrës dhe produkteve të saj, shtypshkrimi, rafineria e nënprodukteve të naftës, prodhimi i kimikateve, i pajisjeve elektrike, përpunimi i produkteve farmaceutike, tekstileve, konfeksionimi i veshjeve, prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure, etj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet