Biznesmeni financier jep një zgjidhje interesante për teatrin e ri kombëtar

Nga Shpëtim LUKU

Postimet e kryeministrit Edi Rama pas shembjes së Teatrit të vjetër Kombëtar u përmbytën nga komentet e qytetarëve, të cilët siç ndodh zakonisht në të shumtën e rasteve, ishin pro dhe kundër shembjes. Mes morisë së këtyre komenteve ishte edhe ai i një biznesmeni të njohur, i një biznesmeni që ushtron aktivitetin në sektorin e shërbimeve financiare nëpërmjet një institucioni financiar që quhet AK-Invest, e që objekt të veprimtarisë së tij ka edhe një tjetër investimi për realizimin transfertave financiare.

Drejtori i këtij i këtij institucioni financiar nuk merrej me diskutimin tashmë të mbyllur e që i përket të kaluarës, “a duhej shembur apo jo teatri”. Por si një biznesmen racional, me sens qytetar, ai nëpërmjet komentit të tij, përpiqej të përqëndronte energjitë e debatit tek rrugëzgjidhjet për ta patur sa më shpejt Teatrin e Ri. “Si një biznes modest, ofroj 100 mijë Euro donacion për ndërtimin e teatrit të ri me shpresën dhe bindjen që këtë rrugë ta ndjekin dhe biznese të tjera”-shkruan përafërsisht Adili në komentin e tij, adresuar Kryeministrit Rama.

Për të zhvilluar më tej idenë e tij, drejtori i AK-Invest, thotë se ai është i bindur që bizneset kryesore të vendit e kanë për krenari të investojnë dhe përballojnë ndërtimin e një vepre të tillë siç është teatri i ri. “Janë mbi 800 biznese VIP, për të realizuar një investim të tillë të veçantë që shkon diku në rreth 30 milionë Euro. Kjo është e qartë se sa mund t’i takojë çdo biznesi”- përllogarit Adili. Dhe kjo ide për ndërtimin e tij nuk është se i ka lindur kohët e fundit.

Edhe më parë, kur nisi ky debat, si rrjedhojë e shpalljes së objektivit për ta ndërtuar atë në kushtet e një partneriteti publik-privat, në kuadër të marrëveshjes me kompaninë Fusha, sërisht Ilir Adili hodhi këtë ide që vazhdon ta mbrojë edhe sot. Që fare mirë ai mund të përballohet me donacione nga bizneset shqiptare të cilat do të përfitonin emocionet e kontributit për një vepër të denjë të kulturës kombëtare.

Sepse debati për teatrin ka qenë i fortë që në fillimet e tij, për faktin se kundërshtarët e prishjes së tij shikonin tek veprimi, jo dëshirën e qeverisë për t’i dhënë komunitetit të aktorëve dhe spektatorëve një ndërtesë të re dinjitoze por një aferë korruptive. Në këtë kuptim, propozimi i Ilir Adilit ishte i vlefshëm atëherë dhe rrjedha e ngjarjeve i dha të drejtë, por edhe sot kur e vazhdon preokupimin e tij si qytetar, duhet që Tirana ta ketë sa më parë teatrin e saj kombëtar.

Shembuj të kësaj mënyre sjelljeje të biznesit karshi kulturës kombëtare ka sa të duash edhe në praktikën e vendeve të tjera. Kur në Francë, para pak viteve, u shkrumbua nga zjarri një pasuri e kulturës botërore, sikurse ishte Notre Dame, biznesmenët vendas nxituan të deklarojnë donacione për rindërtimin e saj, njësoj sikurse kishte qenë më parë. Sepse një veprim i tillë është krenari dhe për biznesmenë të përgjegjshëm, që mendojnë përtej interesave të ngushta, përtej “oborrit” të vet, është edhe detyrë. Këtë dimension shpalos Drejtori i Përgjithshëm i AK-Invest, Ilir Adili dhe këtë dimension, ai është i bindur që e kanë edhe biznese të tjera.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet