Bonus i veçantë për ata që punojnë në të zezë, përfitojnë 70 mijë familje

Kryeministri Edi Rama lajmëroi sot vendosjen e një bonusi të veçantë që do t’u vijë në ndihmë atyre që punojnë në të zezë, një nismë që u vjen në ndihmë rreth 70 mijë familjeve.

Kryeministri Rama informoi mbi këtë nismë plotësuese të paketës së zgjeruar për t’i ardhur në ndihmë shumë prej atyre që ankohen me të drejtë që janë në të zezë.

“Lidhur me shumëkënd që jeton në vështirësi të mëdha ekonomike dhe punon në të zezë s’ka një zgjidhje individuale. Por duke konstatuar dhe duke analizuar se një pjesë e madhe atyre që ushtrojnë veprimtarinë e punës në të zezë janë në një grup prej afro 70 mijë familjesh, të cilat nuk janë të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike, por sidoqoftë edhe pse kanë pasur një pikëzim që ka qenë më i lartë se ai atyre që kanë hyrë në ndihmë ekonomike, si aplikues i ndihmës ekonomike konsiderohen përgjithësisht familje që në këtë situatë kanë një hall më të madh se të tjerët”, tha Rama.

Prandaj, ai theksoi se “për këto familje ne po punojmë për një bonus të veçantë që do të jetë në masën e një ndihme direkte 1 herë, për periudhën e mëtejshme”.

“Se si do të jetë, sa do të jetë dhe kur do të ndodh besoj se do ta keni të qartë brenda kësaj jave kur do të lajmërojmë këtë nismë plotësuese të paketës së zgjeruar për t’i ardhur në ndihmë shumë prej atyre që ankohen me të drejtë që janë në të zezë, familja e tyre nuk merr ndihmën ekonomike dhe janë në situatë të keqe dhe një ndihmë ekonomike direkte do ta bëjmë shumë shpejt”, tha Rama.

Kryeministri tha se “duam që të shkojmë nga pikëpamja financiare më tej se sa ndihma prej 8 mijë lekësh të reja”. “Sa përtej do të shkojmë, do ta kalkulojmë, por mos harroni se në këto kushte deri në qershor ka më pak të ardhura për secilin prej jush dhe më pak të ardhura në këtë shtëpinë tonë të përbashkët që do të goditet në financat e veta me mbi gjysmë miliard euro. Pra kur flasim për para që duhet shteti të japë, me të drejtë por duhet edhe të bëjmë pak edhe llogarinë, sepse siç ka ndodhur në çdo shtëpi ka ndodhur edhe në arkën e shtëpisë sonë të përbashkët ku lufta ka sjellë ndikimin e vet negativ. Luftërat vijnë për të goditur materialisht të gjithë, njerëzit, familjen dhe shtetin”, tha Rama.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet