Diskriminim bankar. Bankat italiane mbyllin llogaritë e shtetasve iranianë

Sanksionet financiare të vendosura ndaj Iranit dhe shtetasve të tyre

Shumë banka italiane kanë mbyllur ose bllokuar llogaritë bankare të qytetarëve iranianë që jetojnë në Itali, me justifikimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura kundër Iranit. Ky vendim ka sjellë shumë probleme për personat që jetojnë dhe punojnë normalisht në Itali. Sipas të dhënave më të fundit nga Istat, janë 12.500 shtetas iranianë që jetojnë atje.

Burime të besueshme nga filiale të bankës ING Direct, kanë dërguar para disa muajsh një letër tek shtetasit iranianë duke u kërkuar atyre shpjegime dhe dokumenta shtesë në lidhje me të ardhurat dhe llogaritë bankare. Këto verifikime kanë çuar në mbylljen dhe bllokimin e shumë llogarive duke bërë që shumë iranianë të përballen me probleme financiare. Edhe Intesa San Paolo ka shtrënguar procedurat duke u kërkuar të gjithë klientëve iranianë të prezantojnë dokumentat e punës për të justifikuar fondet e tyre bankare.

Bankat nuk kanë dhënë shpjegime për mbylljen e llogarive, madje shtetasit iranianë deklarojnë se gjithçka ka të bëjë me vendimin e një diskriminimi bazuar në kombësinë e tyre. Mbi këtë bazë ata kanë nisur të kërkojnë ndihmë në Ambasadën e Iranit në Itali. “Kur kam shkuar në bankë për të diskutuar motivet e mbylljes së llogarisë time, më janë përgjigjur se vendimi është bërë mbi bazë të kombësisë dhe se urdhëri është dhënë nga Banka Qëndrore Italiane”, tregon një shtetase iraniane në Milano.

Shumë iranianë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në media sociale për të mos patur të drejtën e pasjes së një llogarie bankare si të gjithë qytetarët e tjerë. “Pjesa më e madhe e iranianëve kanë probleme në marrjen e një vize studenti apo të lejës së qëndrimit. Mundohen të mos ekspozohen dhe largohen nga frika se mund të akuzohen për riciklim parash jo të pastra ose akuza të tjera, duke e bërë më të komplikuar procesin e rinovimit të lejës së qëndrimit”, shtojnë disa të tjerë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet