
Ekonomia globale rrezikohet nga Brexit
Nëse Mbretëria e Bashkuar do të shkëputet nga Bashkimi Europian, pasojat do t’i vuanin jo vetëm vendet antare të BEsë, por edhe ekonomia globale. Ky paralajmërim ka ardhur nga ministrat e Financave të G7 në dokumentin e tyre final pas një samiti dyditor në qytetin japonez të Sendait.
“Pasiguritë globale janë shtuar, ndërsa konfliktet gjeopolitike, terrorrizmi, fluksi i emigrantëve dhe tronditja për një dalje të mundshme të Britanisë komplikojnë kontekstin ekonomik global”, pohuan ministrat. Britanikët do të duhet të vendosin lidhur me çështjen në një referendum që do të mbahet më datë 23 qershor. Gjatë takimit, ministrat e 7 ekonomive më të zhvilluara të botës diskutuan për një sërë tematikash, nga ekonomia globale tek vlerat e shkëmbimve të huaja dhe pastrimi i parave.
Shtetet e Bashkuara paralajmëruan sërish Japoninë kundër zhvlerësimit të monedhës për arsye konkurruese, çka ekspozoi përçarjen në politikën e kursit të këmbimit. Ministrat kanë diskutuar gjithashtu për pastrimin e parave, për zhurmën e shkaktuar nga i ashtuquajturi skandali i “Panama Papers”.
Komenti juaj do të presë që të aprovohet. Pas kësaj, ai do të shfaqet poshtë artikullit
0 Komentet