Ekonomia u rrit 4 herë më shumë se në vitin 2013

Treguesit ekonomikë vijojnë trendin e rritjes progresive të qëndrueshme. Sipas treguesve të Ministrisë së financave, në fund të vitit 2018 ekonomia shqiptare u rrit 4 herë më shumë se në vitin 2013.

Krahasuar me 66 muaj më parë, nga një ekonomi në stanjacion, me një borxh publik jashtë kontrollit ku shteti ishte debitor ndaj biznesit, me detyrime të pashlyera, informalitet në rritje dhe ku burokracia ishte barrë për sipërmarrjen e lire, sot në mars të vitit 2019, rritja ekonomike konfirmon qëndrueshmëri, rritje të konsumit, investimeve dhe më shumë të ardhura.

Ministria e Financave bën të ditur se, borxhi publik nga 70,4% në vitin 2013 u ul në nivelin 67,5% në vitin 2018.

Ndërsa eksportet nga 47, 60% në 2013 u rrit në 2018 në 48,40%. Ndërsa import- eksportet përbëjnë 58% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) çka tregon se prodhimi vendas po rritet dhe po përmirëson cilësinë dhe standardet duke u kërkuar më shumë në tregjet e huaja.

Një tregues i rëndësishëm që mbështet rritjen ekonomike është edhe punësimi. Shqipëria tashmë është vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare siç është Banka Botërore, si vendi me rritjen më të madhe të punësimit në Ballkanin Perëndimor.

Fokusi për zhvillimin e ardhshëm të ekonomisë shqiptare mbetet tërheqja e investimeve të huaja direkte me prioritet në sektorët ku ekonomia shqiptare ka potencial të pashfrytëzuar si në aspektin e burimeve natyrore, apo sektorë që po performojnë nën potencialin e tyre të plotë. Të tillë janë sektori i energjisë së rinovueshme, sektori i turizmit, sektori i agrobiznesit, sektori i infrastrukturës dhe ai i shërbimeve. Shqipëria ka përshtatur një kuadër ligjor liberal të projektuar për krijimin e një klime të favorshme investimi për investitorët e huaj.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, investimet e huaja shënuan rekord rritjeje për të pestin vit radhazi.

Sipas BSH-së, në muajin shtator 2018 stoku i investimeve të huaja në vendin tonë arriti në 7.4 miliardë euro. Ndërkohë që krahasuar me vitin 2014, investimet e huaja janë rritur me rreth 80%.

Sektori energjetik kryeson me rritjen më të madhe të investimeve, ku dominojnë projektet madhore të TAP dhe Devoll Hydropower.

Ndërkohë që sektorë të tjerë me vlera të larta të investimeve të huaja në ekonomi mbeten telekomunikacioni, informacioni, me pothuajse 1.2 miliardë euro.

Për të vijuar me sektorët strategjikë të shërbimeve dhe atë financiar bankar, ku sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e investimeve të huaja arrin në 1.1 miliardë euro, ose 50% më shumë krahasuar me pesë vjet më parë.

Banka e Shqipërisë vëren se sipërmarrja e huaj po fiton përparësi edhe në sektorin e ndërtimit, ku stoku i investimeve të huaja arrin në 135 milionë euro.

Ndërsa lehtësimi i barrës fiskale për biznesin dhe sektorin e shërbimeve po nxit sipërmarrjet për rigjallërimin e aktivitetit në Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme që përbëjnë mbi 90% të biznesit në vend dhe kanë impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave familjare.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet