Fermerët e Dumresë heqin dorë nga mbjellja e duhanit

Zona e Dumresë, e njohur si prodhuesja më e madhe e duhanit në vend, duket se nuk do të jetë më e tillë. Në Dumre sapo ka përfunduar procesi i mbjelljes së duhanit dhe ajo që vihet re është fakti se këtë vit fermerët kanë mbjellë 50 përqind më pak. Por kjo nuk është anomalia e vetme, pasi fermerët ende nuk kanë marrë paratë për duhanin e shitur 5 muaj më pare. Pas protestave të shumta dhe disa takimeve në Ministri, fermerët e Dumresë nuk arritën të gjejnë një zgjidhje për të vetmen kërkesë të tyre; heqjen e monopolit në grumbullimin e duhanit.

Fermerët e kësaj zone përballen vit për vit me ulje të çmimit të shitjes, të cilin kompania e vetme e licencuar për grumbullimin e duhanit e vendos sipas interesave të saj. Kjo ka bërë që një pjesë e mirë e fermerëve të Dumresë të heqin dorë nga kultivimi i duhanit dhe të mendojnë për mënyra të tjera jetese. Një vit më parë një sasi e madhe duhani, të cilët fermerët nuk pranuan ta jepnin me çmimin qesharak të propozuar nga kompania, u kalb nëpër magazina duke e çuar dëm mundin e një viti të tërë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet