U takon politikanëve të reformojnë ekonominë

Në një seminar me temën “Rishqyrtimi i bashkërendimit midis politikës monetare dhe politikës fiskale”, organizuar nga Banka e Sllovenisë në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Guvernatori Gent Sejko tha se politika monetare nuk duhet mbingarkuar me një mori qëllimesh, përndryshe rrezikon të humbasë besueshmërinë.

“Duhet që gjithmonë t'i kujtojmë vetes se çfarë mundet dhe nuk mundet të arrijë politika monetare: ne mund të ndikojmë mbi variablat nominalë të ekonomisë, domethënë nivelin e çmimeve, por nuk mund të ndikojmë as mbi rritjen afatgjatë dhe as mbi prosperitetin e përgjithshëm në ekonomi”, tha Sejko në fjalën e tij.

Sipas, kreut të Bankës së Shqipërisë, i takon politikanëve të reformojnë ekonominë. “Në këtë drejtim mendoj se duhet që gjithmonë t’i kujtojmë politikanëve përmbushjen e detyrave të tyre në lidhje me reformat strukturore dhe shfrytëzimin sa më mirë të frymëmarrjes që u jep politika monetare”, vijoi Sejko. Më tej gjatë fjalës së tij, guvernatori i njohu të pranishmit me kursin e politikave ekonomike që po ndjek Shqipëria.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet