Ibrahimaj: katër masat që mbështet paketa e dytë e ndihmës

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, tha sot se 176 mijë biznese dhe individë do të përfitojnë pagën e luftës prej 40 mijë lekë, nga paketa e dytë e ndihmës së qeverisë në kuadër të pandemisë së koronavirusit.

“Katër masa mbështet paketa e dytë”, tha Ibrahimaj.

Sipas saj, në masën e parë futen bizneset e mbyllur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që kanë qarkullimin më të lartë se 14 milionë lekë,

“Në paketën e parë qeveria mbështeti të gjithë të punësuarit e bizneseve të vogla që kanë qarkullim deri në 14 milionë lekë, ndërsa në paketën e dytë është përcaktuar si masë e parë mbështetje për këto subjekte që kanë të ardhura mbi 14 milionë lekë, të mbyllur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë”, – tha ajo.

“Masa e dytë mbështet me pagesën 40 mijë lekë, individët që janë të larguar nga puna nga data 10 mars deri 10 prill. (Papunësia e të cilëve është shkaktuar si pasojë e COVID-19). Këtu janë të parashikuar të përfitojnë një numër prej 40 mijë të punësuarish të larguar. Ndërkohë të punësuarit e larguar të përfshirë në bizneset e mbyllura janë të parashikuar të mbulohen si në masën e parë dhe në paketën e parë që sapo është mbyllur”- deklaroi Ibrahimaj.

Në paketën e parë, shpjegoi ajo, janë 67 473 biznese që aplikuan për të marrë ndihmën, nga këto janë miratuar kërkesat e 32 276 subjekteve, ndërsa po vijon riverifikimi i kërkesa të refuzuara për të mos lënë askënd pa marrë atë çka i përket.

“Masa e tretë, parashikon 40 mijë lekë të punësuarve që janë brenda aktiviteteve të prekura nga COVID-19, por që kanë qarkullim nga 0-14 milionë lekë. “Këtu janë 100 mijë të punësuar që do të mbështeten nga kjo masë. Përveç profesioneve të lira, dyqaneve ushqimore e farmacitë”- tha ajo.

Masa e katër shkon për të mbështetur sektorin e turizmin.

“Ndryshe nga paketa e parë, mbështetja në paketën e dytë është në formën e një pagese të vetme prej 40 mijë lekë. Do të mbështeten nëpërmjet masës së parë të gjithë të punësuarit aktual në këto subjekte dhe të punësuarit e larguar nga puna nga data 10 mars deri më 10 prill”- theksoi Ibrahimaj.

Ajo njoftoi se aplikimi për mbështetjen nga paketa e dytë nisë nesër. Ndërkohë që krahas mbështetjes financiare qeveria ka parashikuar edhe shtyrjen e tatim fitimit, duke rritur mbështetjen për biznesin në këtë situatë të vështirë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet