Instrument për formalizimin e ekonomisë, përfitojnë qytetarët dhe biznesi

Biznesi vendas ka mirëpritur dhe mbështet iniciativën e qeverisë për amnistinë e kapitaleve, duke e cilësuar atë si instrumentin e duhur në formalizimin e ekonomisë, prej së cilës përfitojnë qytetarët, biznesi, fermerët, qeveria dhe gjithë jeta ekonomike e vendit.

Presidenti i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, Alban Zusi, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) u shpreh se, “iniciativa e fundit e Kryeministrit Edi Rama, është një iniciativë e cila në fakt e sheh realitetin në sy, sepse për sa kohë ne pranojmë që kemi prej 30 vitesh një nivel të lartë të informalitetit, do të thotë që kemi para që kanë nevojë të deklarohen”.

Zusi thotë se, “këtu flas për paratë e fituara që janë të pa deklaruara nga biznesi, për shkak të kushteve të informalitetit dhe jo për shkak se bizneset kanë dashur të jenë informal, pasi në të kundërt nuk do të mbijetonin dot, në kushtet e një ekonomie ku formalizimi ka qenë relativisht i vështirë”.

Në këndvështrimin e ekonomistit, Zusi shprehet se, “kjo iniciativë është jashtëzakonisht e mirë dhe e mirëpritur, pasi i jep hapësirë bizneseve të ndershme, bizneseve të cilët duan të formalizohen dhe duan të deklarojnë gjithë pasuritë e tyre dhe ta investojnë dhe rinvestojnë përsëri atë, me qëllim rritjen progresive ekonomike, që të kenë një hapësirë për të investuar këto kapitale”.

Presidenti i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, shprehet se biznesi do të jetë palë me qeverinë për zbatimin e saj.

“Natyrshëm që kjo iniciativë shumë e mirë, ka nevojë për t’u shoqëruar edhe me një plan masash të detajuar, të konsultuar me biznesin, në mënyrë që të arrihet formalizimi maksimal përmes kësaj iniciative. Pasi formalizimi, nuk është rritje taksash. Formalizimi është rritje e konkurueshmërisë. Formalizimi është nxjerrje nga tregu e operatorëve të cilët i krijojnë probleme shoqërisë, i krijojnë probleme klimës së biznesit” – deklaroi Zusi, ndërsa nënvizoi se, në të njëjtën kohë formalizimi është instrumenti më i mirë për t’u kredituar biznesi, për të marrë financime nga bankat.

Zusi tha për ATSH-në, se përfitues nga amnistia fiskale e kapitale të biznesit, nuk do të jenë vetëm qytetarët, biznesi dhe qeveria, por edhe fermerët dhe agrobiznesi.

“Kur them bizneset, theksoi ai, kam parasysh edhe fermerët të cilët në një masë të madhe janë informal dhe jo për faj të tyre por sepse sistemi deri tashmë nuk ka qenë funksional. Kjo iniciativë pa diskutim që do të bëjë që të dalin kapitalet e ‘pastra’, pra jo kapitalet e vëna në rrugë të jashtë ligjshme, por kapitale të padeklaruara për shkak të sistemit dhe për shkak të pamundësisë për të mbijetuar në treg nëse nuk do të funksionin në këtë formë dhe njëkohësisht krijimin e klimës për të qenë kompetitiv, shumë më tepër se më përpara”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet