'Kazinotë'/ Financat përcaktojnë zonat dhe kriteret për pajisjen me licencë

Qeveria shqiptare, përmes dy vendimeve të marra së fundmi ka përcaktuar zonat ku lejohet vendosja për zhvillimin e lojës së fatit, të kategorisë “kazino”, në qytetin e Tiranës, si dhe kriteret për pajisjen me licencë për këtë kategori.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përmes një njoftimi për shtyp bëri të ditur se ligji “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” ngarkon Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, për nxjerrjen e akteve nënligjore, dhe konkretisht në nenin 36, pika 1, kërkohet nxjerrja e procedurës për pajisjen me licensë dhe në pikën 2 të nenit 34, kërkohet përcaktimi i zonave, ku do të ushtrohet aktiviteti.

Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndërmarrë iniciativën për miratimin e VKM nr.689, date 2.09.2020 datë “Për përcaktimin e zonës ku do të lejohet vendosja e lojës së fatit e kategorisë “Kazino” në qytetin e Tiranës” dhe VKM nr.690, datë 02.09.2020 “Për përcaktimin e procedurave të zhvillimit të garës kriteret shtesë për aplikantët që konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “kazino”, e procedura e shpalljes së fituesit, si dhe rastet e revokimit apo të pezullimit të kësaj licence”.

Vendimet e Këshillit të Ministrave përcaktojnë zonat ku lejohet vendosja për zhvillimin e lojës së fatit, të kategorisë “kazino”, në qytetin e Tiranës me detajet përkatëse të kufizimit, sipas hartës që i bashkëlidhet vendimit. Po ashtu përcaktojnë procedurat e zhvillimit të garës, kriteret shtesë për aplikantët që konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “kazino”, procedurën e shpalljes së fituesit dhe rastet e revokimit apo të pezullimit të kësaj licence.

“Vendimet përcaktojnë zonat dhe kriteret për dhënien e licencës për “kazino” me garë, për t’u shpallur nga Autoritetit i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, i autorizuar për pajisjen e subjekteve me licence për kategorinë “kazino”, si dhe procedurat për zhvillimin e garës, kushtet, kriteret teknike dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë aplikantët, si dhe procedurat e licencimit”, thuhet në njoftimin e Financave.

“Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të ndjekë në vijim procedurat për çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendas ose i huaj, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “kazino””, theksoi ministria e Financave.

Sipas MFE-së, aplikantët ndër të tjera, do të duhet të jenë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, në objektin e veprimtarisë, me kapitalin, kapacitetet dhe përvojë për ushtrimin e aktivitetit dhe marrjen e masave për të siguruar qendrueshmërinë operacionale për ushtrimin e aktivitetit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet