Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për hekurudha e autostrada

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar sot në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

Nënshkrimi i letrave të interesit ndodhi pak para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih.

Këto marrëveshje, u arritën me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në ceremoninë e nënshkrimit kanë marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe ambasadori Richard Grenell.

Për palën kosovare marrëveshjet i kanë nënshkruar Xhemë Veselit, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Kurse nga pala serbe, të dy marrëveshjet i ka nënshkruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Ambasadori Grenell tha se pas negociatave dhe marrëveshjes për linjën ajrore, tani u arrit të negociohet edhe çështja e transportit hekurudhor dhe rrugor.

“Ajo që kemi bërë sot, është që kemi negociuar për të gjetur mënyrën që të hapim linjën hekurudhore dhe autostradat. Ne kemi negociuar për hapjen e linjës ajrore për fluturime direkte mes Prishtinës dhe Beogradit – dhe tani kemi edhe dy marrëveshje të tjera”, tha Grenell.

“Tani kemi dy marrëveshje më shumë dhe ajo që unë kam biseduar me të dy presidentët është që të përqendrohemi sa më shumë në zhvillimin ekonomik”, tha ambasadori amerikan. Sipas tij, edhe presidentët Thaçi e Vuçiq, ishin pajtuar se fokusi i bisedimeve duhet të jetë në çështjet e zhvillimit ekonomik.

Me anë të letrave të interesit, që paraqet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këto shtete shprehin gatishmërinë për hapjen e mundësive për ndërlidhjen rrugore e hekurudhore ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të ndërlidhjes së këtij rajoni me Evropën.

Ambasadori Grenell, është zotuar se në misionin e tij ndërmjetësues, do të fokusohet që Prishtina dhe Beogradi t’i tejkalojnë çështjet e hapura nga fusha e ekonomisë, në mënyrë që të vazhdohet tutje drejt arritjes së një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila sipas tij do të ishte e domosdoshme që Kosova dhe Serbia të krijojnë një ekonomi të qëndrueshme dhe joshëse për investimet nga jashtë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet