Miratohet shitja e aksioneve të Bankers Petroleum

Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri ka miratuar shitjen e aksioneve të kompanisë kanadeze Bankers Petroleum tek grupi i kompanive Alberta Ltd dhe Charter Power Investment Ltd, të cilat janë degë të kompanisë kineze Geo jade Petroleum. Mësohet se vlera e shitjes është 392 milionë euro, pa përfshirë detyrimet. Njëkohësisht, kjo marrëveshje ka marrë miratimin edhe të disa autoriteteve kineze.

Palët vazhdojnë të ndjekin ecurinë e miratimeve që nuk janë marrë ende nga Akti i Investimeve në Kanada dhe nga Administrata Kineze Shtetërore e Këmbimit Valutor. Bankers do të mbajë mbledhjen e veçantë të aksionerëve më 31 maj, duke kërkuar miratimin e aksionerëve për marrëveshjen. Nëse miratohet nga aksionerët, mbyllja e marrëveshjes realizohet në qershor të këtij viti, në vijim aksionet e Bankers nuk do të tregtohen më në bursën e Torontos dhe në tregjet e Bursës së Londrës.

Marrëveshja duhet të miratohet nga jo më pak se 2/3 e aksionerëve. “Bankers” operon prej 12 vitesh në Shqipëri duke marrë me koncesion për 25 vite fushën e Patos Marinzës, fusha më madhe në nxjerren e naftës në vendin tonë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet