OECD mbështet Shqipërinë në zbatimin e taksimit të ndershëm

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj priti në një takim delegacionin e lartë të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) të kryesuar nga Ludger Schuknecht, zëvendëssekretar i përgjithshëm.

Qëllimi i këtij takimi ishte njohja e zyrtarit të OECD-së, Schuknecht me hapat që ka hedhur Shqipëria në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga ratifikimi i marrëveshjes kuadër të gjithë përfshirjes së projektit ndërkombëtar BEPS (erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimeve).

Marrëveshja ka si qëllim përforcimin e koherencës së rregullave të tatimit mbi të ardhurat e korporatave në nivel ndërkombëtar, lidhjen e tatimit me përmbajtjen e aktiviteteve ekonomike të realizuara, përmirësimin e transparencës.

Ministrja Denaj, siguroi se i gjithë ky proces është një garanci drejt të gjithë rrugëtimit legjislativ drejt komunitetit europian në aspektin e taksimit të drejtë.

“Në të gjithë këtë proces që kemi kaluar prej gati një viti kemi mbështetjen nga OECD, për ta bërë këtë rrugëtim jo vetëm konkret, por njëkohësisht të zbatueshëm dhe për ta ratifikuar atë në një marrëdhënie të drejtpërdrejt me biznese, si ato vendase, ashtu edhe ato të huaja”, tha Denaj.

Sipas Denajt, investitorët e huaj kanë një garanci akoma më të shtuar nëse kuadri legjislativ dhe zbatueshmëria e tij futet brenda një ombrelle më të madhe globale siç është OECD dhe ku garancia për asistencë teknike, e siguruar tashmë dhe e konfirmuar, është një parakusht i suksesit të zbatimit të këtyre ligjeve dhe të njohjes së tyre nga të gjithë palët, si ato që kanë të bëjnë me investimet, ashtu edhe me administratat respektive me të cilat ne kemi marrëdhënie të drejtpërdrejta.

Ndërsa zyrtari i OECD-së, Schuknecht, vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për anëtarësimin në kuadrin gjithëpërfshirës dhe për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare nën BEPS, si një hap shumë i mirë në kuadër të planit afatmesëm për të modernizuar vendin dhe ekonominë.

“Jemi këtu për të diskutuar hapat konkretë që Shqipëria duhet të ndërmarrë për zbatimin e kuadrit dhe besojmë se vendi është në rrugën e duhur të zbatimit të masave ligjore dhe administrative. OECD mbetet e gatshme për të mbështetur Shqipërinë në këtë rrugëtim”, tha Schuknecht.

Në këtë kuadër, vetëm pak ditë më parë Kuvendi, miratoi ligjin për shkëmbimin automatik të informacionit, i cili synon përafrimin e acquis comunitare në bashkëpunim me administratat tatimore të vendeve të tjera. Janë gati 102 autoritete tatimore me të cilat do të shkëmbejnë informacion në mënyrë automatike./a.gjonaj/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet