Paga reale në shtet nuk lëviz

Instituti i Statistikave raportoi se për herë të parë që nga viti 2000, punonjësit e shtetit nuk përfituan rritje reale të pagave gjatë vitit që lamë pas. Të dhënat e sapopublikuara nga INSTAT tregojnë se në vitin 2015, pagat mesatare në sektorin shtetëror u rritën vetëm sa për të kompensuar rritjen e çmimeve.

Më konkretisht, sipas INSTAT, në vlerë paga mesatare në sektorin shtetëror u rrit me 1.8 përqind gjatë vitit të kaluar, nga 53 mijë lekë që ishte në fund të vitit 2014 në 54 mijë lekë. Por në të njëjtin nivel, pra 1.8 përqind u rritën edhe çmimet, duke bërë që fuqia blerëse e pagës mesatare në shtet, që ndryshe njihet dhe si paga reale të mbetet e pandryshuar.

INSTAT, thotë se kjo është hera e parë që rrogat në shtet nuk rriten në terma reale, që nga koha kur institucioni e publikon këtë tregues. Vitet e mëparshme, pagat e të punësuarve në sektorin publik janë rritur gjithmonë dukshëm më lartë sesa shifra e inflacionit. Në marrëveshjen me FMN, qeveria është angazhuar të ngrijë për tre vjet rrogat e sektorit public, duke i rritur ato vetëm për grupe të caktuara. Por së fundmi ekspertë të ekonomisë i kanë bërë thirrje qeverisë ta rishikojë këtë politikë, e cila sipas tyre është një nga arsyet kryesore për ndrydhjen e konsumit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet