Projektligji 'për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit', konsultim me grupet e interesit

Konsultimi publik i projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” vijoi sot në tryezën e diskutimit me Këshillin Tatimor.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin dhe zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi, dhe drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj.

Gjatë prezantimit të projektligjit para anëtarëve të Këshillit Tatimor, zv.ministri Haxhi vuri theksin te risitë e tij, të cilat synojnë një kontroll më të mirë të transaksioneve të tatimpaguesve, si atyre me para në dorë, ashtu edhe atyre pa para në dorë.

“Ndryshimi i këtij sistemi adreson edhe disa çështje të tjera të rëndësishme, qoftë në aspektin e kontrollit tatimor, ashtu edhe në vlerësimin e riskut, si dhe në një kontroll të disa komponentëve të tjerë që kanë të bëjnë me gjendjen e parave “cash”, me regjistrin e tatimpaguesve, apo edhe me regjistrin e aktiveve afatgjata, materiale apo jomateriale”, u shpreh Haxhi.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Ibrahimaj, vlerësoi konsultimin e projektligjit për Fiskalizimin në Këshillin Tatimor, në funksion të përmirësimit të draftit.

Takimi vijoi me marrjen e mendimeve dhe sugjerimeve nga ana e anëtarëve të Këshillit Tatimor, të cilat do të shqyrtohen e më pas reflektohen në projektligj.

Tryeza e radhës e konsultimit publik me grupet e interesit do të zhvillohet në datën 27 gusht, me shoqatat e biznesit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet