Shehaj, qëllimi ynë nuk është gjoba, por rruga e formalitetit

''Në asnjë rast nuk kemi të bëjmë me represion kundër biznesit. Nuk është qëllimi ynë të gjobisim subjektet, duke ulur edhe likuditetet e tyre, por futja në rrugën e formalitetit''

TIRANE - Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj, dha një konferencë për shtyp nga Ministria e Financave. Nga kontrolli i ushtruar në ditët e para të muajit shtator janë evidentuar 1968 subjekte të licencuara me shkelje, ndërsa janë gjobitur 1440 subjekte. Shehaj dhe Drejtori i Inspektoriatit të Punës, Dritan Ylli, dhanë shifra dhe rezultate mbi operacionin e qeverisë kundër informalitetit në ekonomi. "Ka disa udhëzime shumë të qarta për çdo inspektor në terren. Sqaroj se në asnjë rast nuk kemi të bëjmë me represion kundër biznesit. Për ato subjekte ku është evidentuar se është bërë aplikimi apo kontrata për t’u pajisur me kasa fiskale, administrata tatimore konstaton dhe nuk gjobit, por riverifikon pas dy ditësh. Nuk është qëllimi ynë të gjobisim subjektet, duke ulur edhe likuditetet e tyre, por futja në rrugën e formalitetit”, deklaroi Shehaj. Ajo bëri të ditur se ka patur edhe penalizime për inspektorët tatimorë në terren, ashtu sikurse sqaroi se Policia e Shtetit do të mbështesë çdo inspektor në terren. Shehaj paralajmëroi edhe pajisjen me tableta të inspektorëve tatimore si dhe regjistrimin on-linë të subjeteve të lëshuara me qira.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet