Rama: hoqëm fashën e bizneseve të errëta, tani vjen rimëkëmbja

Kryeministri Edi Rama pati sot një vizitë në një sipërmarrje të përpunimit të drurit dhe arredimit. Biznesi është krijuar dhe drejtohet nga një sipërmarrës, që, punën dhe përvojën e 24 viteve në emigracion e ka investuar në Shqipëri. Biznesi, i cili po konsolidohet nga viti në vit, duke rritur gradualisht edhe xhiron vjetore, do të përfitojë nga lehtësia më e fundit fiskale e qeverisë, tatimi mbi fitimin nga 15 në 5%, si rezultat i rritjes së pragut të xhiros vjetore deri në 14 milionë lekë, të cilën sipërmarrësit e shohin si një mundësi për të zgjeruar aktivitetin dhe për të investuar në teknologji moderne. Duke inkurajuar sipërmarrësit që të rrisin numrin e të punësuarve, Kryeministri tha se me rritjen e xhiros vjetore deri në 14 milionë lekë që përfiton nga tatimi mbi fitimin 5%, biznesi i vogël çlirohet nga informaliteti dhe deklarimet abuzive, të cilat bëheshin për të mos paguar detyrimin prej 15% të tatim-fitimit. “Uljen e taksave ne donim ta bënim më përpara por si kemi pasur mundësitë. Janë krijuar mundësitë për ta bërë dhe e gjithë ideja kjo është. Atë që ndodhte në pragun 80 milionë lekë, aty ku praktikisht ezaurohej vetëm me 5% taksa mbi fitimin dhe pastaj kalonte në 15%, e shmangëm”, tha Rama. Sipas tij, aty ishte një fashë e tërë që kishte hile, informalitet, gënjeshtra. “Tani kjo fashë çlirohet komplet sepse deri në 140 milionë dollarë xhiro në vit me 5% taksë, nuk e ka asnjë vend i rajonit”, tha Kryeministri.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet