Rritja e pagës minimale në nivelin 30 mijë lekë: Hapi i duhur për përmirësimin e jetesës

Duke filluar nga data 1 janari i vitit 2021, paga minimale do të jetë 30 mijë lekë.

Profesori i ekonomisë Anastas Angjeli, shprehet se konsolidimi fiskal dhe rritja ekonomike e vendit, mundëson rritjen e nivelit të pagës minimale prej të cilës përfitojnë një sërë profesionesh ku janë shumë të punësuar, që mbajnë një numër të madh familjesh.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, (ATSH), deputeti i PS-së Angjeli tha se, “kalimi në një rritje e pagës minimale, në 30 mijë lekë, padyshim që është një vendim që vjen në kohën e duhur dhe mbi një bazë reale”.

“Kjo, sipas tij, sepse siç dihet një rritje e pagës minimale do të mundësojë një përmirësim të asaj fashe të asaj shtrese të popullsisë, e cila ishe me një pagë shumë të ulët, gjë që ky përmirësim, është shumë përmirësues për nivelin e jetës së këtyre familjeve që bazohen në paga të tilla”, tha ai për ATSH.

Angjeli, profesor i ekonomisë, një nga zërat më të njohur të fushës, theksoi për ATSH-në, se, “vendimi i qeverisës vjen në kohën e duhur, sepse kjo lidhet me atë mundësi e cila ka qenë pamundësi në kohën më parë për shkak të nivelit të zhvillimit ekonomik”.

“Tashmë që kemi një nivel të zhvillimit ekonomik, në këto gjashtë vite të konsoliduar dhe financa publike të konsoliduara, mundësitë ekonomike dhe financiare të vendit e mbështesin realisht këtë vendim dhe unë, – nënvizoi ai, – besoj se, hapa të tillë janë hapat e duhur për përmirësimin e nivelit të jetesës së qytetarëve”.

Angjeli tha se, “kjo është e rëndësishme, sepse siç dihet janë shumë lloje punësh dhe profesionesh, të cilat kanë një pagë minimale nën nivelin 30 mijë lekë të reja. Kështu që kjo është shumë dobisjellëse ndaj tyre. Ndër profesionet që përfitojnë janë që nga kamerierët, call center, e një sërë të tjerash, ku janë të punësuar një numër i madh njerëzish që mbajnë një numër të madh familjesh”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet