Situata e destabilizuar politike po ndikon negativisht në ekonomi

Unioni i eksportuesve shqiptarë u shpreh sot se, po ndjek me vëmendje e shqetësim të thellë situatën politike, ekonomike e sociale të vendit, bojkotin e institucioneve e proceseve politike institucionale, dhunën reale e verbale kudo në parlament, media e rrugë.

Përmes një deklarate për shtyp, Unioni konstaton se: “Aktorë e faktorë në vend komentojnë si konseguenca të kësaj situate frenimin e proceseve integruese të vendit e retorika të ngjashme me to, të cilat padyshim që qëndrojnë si shqetësime, pasi integrimi është objektiv strategjik për vendin. Maksimumi i diskutimeve rreth çështjes, në termat e efekteve reale të drejpërdrejtë në ekonomi, është se kjo situatë do ketë ndikim të madh negativ në sezonin turistik të ardhshëm, që padyshim përbën shqetësim serioz”, thuhet në këtë deklaratë.

Unioni i Eksportuesve Shqiptarë ngre alarmin që aktorët e faktorët që kanë sjellë këtë situatë apo dhe kanë detyrim për menaxhimin e stabilitetit të vendit, duhet të ekspozojnë realisht pasojat tejet negative tashmë të ndodhura për ekonominë, për eksportet, për investimet e reja me kapital vendas apo të huaj dhe për zhvillimin e vendit në përgjithësi, si dhe të marrin përgjegjësi e angazhim konkret për të gjetur zgjidhje e stabilitet që të mos agravojnë më tej dhe të minimizohen këto pasoja.

“Kjo situatë me tendenca anarkiste e nxitëse konflikti ka eklipsuar çdo debat dhe proces në funksion të zgjidhjeve të problematikave të ekonomisë, përmirësimit të klimës së biznesit dhe nxitjes së investimeve e eksporteve”, thuhet në deklaratë.

Unioni evidenton për ilustrim se, sipas statistikave, muaji i parë i vitit u mbyll me 7.3% rënie të eksporteve krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2018, tendencë e cila nëse vijon edhe më tej do impaktojë drejtpërdrejt në mos hapjen e vendeve të reja të punës, rënien e investimeve nga sektori më vital i ekonomisë.

Gjithashtu, krahas problemeve të zhvlerësimit të euros, mungesës së fuqisë punëtore dhe mosrimbursimit të TVSH-së, po t’i shtohet dhe destabiliteti, do ishte fundi i eksportuesve dhe fasoneve.

“Asgjë dhe asnjë shkak nuk mund të justifikojë kaosin, anarkinë dhe vandalizmat apo nxitjen e tyre që bashkëshoqërojnë konfliktet sociale, siç ka ndodhur gjithnjë në vendin tonë kur ka patur të tilla dinamika”, vijon deklarata.

“Goditja e iniciativës dhe e besimit të sipërmarrjes se ‘në këtë vend mund të bëhet biznes qetësisht’, ku siguria e pronës dhe kapitalit ‘nuk rrezikohet nga dinamika revulocionare apo zhvlerësimi i proceseve institucionale’ do e dëmtojnë drejpërdrejtë dhe në afatgjatë zhvillimin e shpresën për zhvillim të këtij vendi”, vijon deklarata.

Sipas Unionit, situata ku prona dhe sipërmarrësit do të jenë të kërcënuar, do bëjë që këta të fundit (vendas apo të huaj) të largohen në mënyrë definitive nga çdo ide e projekt zhvillimi këtu, e madje edhe nga Shqipëria – ndoshta edhe definitivisht(!), nën efektet e idiomës pesimiste se ‘ky vend nuk bëhet’!

Për rrjedhojë edhe Unioni i Eksportuesve Shqiptar u bashkohet gjithë zërave dhe faktorëve politik, institucional, social e mediatik vendas e të huaj, të cilët kërkojnë që arsyeja, kushtetuta, ligji, dhe institucionalizimi të jenë udhërrëfyes në vendimmarrjet e qëndrimet politike si e vetmja rrugë që garanton stabilitetin dhe progresin ekonomik të vendit – në emër të të cilit deklarohen të gjitha palët.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet