TAP: 12 mijë ton tuba mbërrijnë në Durrës

Një anije me mbi 12 mijë T tuba do të ankorohet të enjten në portin e Durrësit. Bëhet fjalë për anijen e 13të me tuba që po shfrytëzohen për shtrimin e Gazsjellësit TAP në territorin e vendit tonë. Anija “Sunshine” me 12.194 ton tubacione do të ankorohet më 9 mars në kalatën 11. Që prej afro një viti, 12 anije të tjera tregtare kanë sjellë në portin e Durrësit mbi 105 mijë ton tuba çeliku gjithsej, që do ti shërbejnë Gazjellësit TAP. Përpunimi i anijeve dhe makinerive për gazjellësin TAP ka nisur më 4 prill të vitit të kaluar. 7 anije të specializuara kanë kryer deri tani 12 lundrime drejt Durrësit, me ngarkesa që shkojnë nga 3.427 deri në 16.453 ton tubacione në secilën anije. Gjithashtu në portin më të madh të vendit, në të njejtën periudhë janë përpunuar edhe anijet “Morgenstond I” me 1.154 ton makineri, anija Ro-Ro “Fides”, e cila ka sjellë 1430 ton makineri për të njejtin projekt, si dhe anija “HC Pauline”, nga e cila u shkarkuan 1.252 ton makineri dhe automjete të ndryshme. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të nisë në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë. Nga kjo pikë TAP-i do të vazhdojë në pjesën tokësore, duke përshkuar të gjithë territorin e Greqisë së Veriut, që është dhe pjesa më e gjatë, dhe më pas për 215 km do të vazhdojë drejt perëndimit përmes Shqipërisë deri në bregdetin e Adriatikut.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet