Tkurret industria në Eurozonë

Prodhimi industrial në Eurozonë ra për të dytin muaj radhazi në Mars, prej rënieve në Itali dhe Francë, ndërkohë që në Gjermani ka pasur rimëkëmbje. Sipas të dhënave të agjencisë europiane të Statistikave, Eurostat, prodhimi në 19 vendet që ndajnë euron ra me 0.3% gjatë muajit dhe me 0.6% me bazë vjetore. Rënia mujore erdhi pas një tkurrjeje me 0.1% në Shkurt. Megjithatë, tremujori i parë qëndroi pozitiv falë rritjes me 2% në muajin Janar. Tkurrja e prodhimit në industri erdhi kryesisht nga rënia me 1% e mallrave jo të qëndrueshme të konsumit, si ushqimi, ndërkohë që shitjet me pakicë pësuan një “ndalesë” në Mars. Duke dhënë një sinjal pozitiv, prodhimi i mallrave afat-gjatë, si makinat apo frigoriferët, pati rritje me 0.7% gjatë muajit. Muaji i parë pozitiv gjatë këtij viti në Gjermani, nuk ishte i mjaftueshëm për të kompensuar rezultatet negative në Francë dhe Itali, që zënë vendin e dytë dhe të tretë në Eurozonë, çka solli treguesin përfundimtar. Ekonomia më e madhe në Europë, Gjermania, publikoi një rritje me 0.4% të prodhimit industrial, pas 2 muajve në rënie. Megjithatë, prodhimi në Francë dhe Itali ra me 1% dhe 0.9% në mënyrë respektive. /Scantv/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet