Transformohet markatoja e Korçës

Nga një godinë e shkatërruar dhe jashtë standardeve të duhura për të operuar, markata e re e qytetit të Korçës është gati për të hapur dyert për tregtarët dhe qytetarët.

Ish-ndërtesa e ndërmarrjes së mekanikës bujqësore të para viteve ’90, është transformuar në një treg modern me parametrat e duhur të sigurisë ushqimore.

Markata e re e cila do jetë e ndarë në sektorë sipas produkteve që do tregtohen dhe që ka një kapacitet prej 120 njësish tregtimi, është vizituar nga Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

Ndërkohë që është bërë thirrja publike për tregtarët për të aplikuar, markata pritet të hapë dyert shumë shpejt. Në katin e dytë të ndërtesës së rinovuar do jetë i vendosur një laborator i kontrollit të cilësisë së produkteve e që më vonë, sipas kryebashkiakut Filo, mund të kthehet në një laborator të certifikimit të produkteve bujqësore të zonës.

Kryeministri Rama gjatë vizitës së tij në Korçë inspektoi edhe punimet për terminalin e ri të autobusëve dhe mikrobusëve të linjave interurbane. Terminali i ri, i vendosur në hyrje të qytetit, në ish-uzinën e instrumenteve nga e cila kishin mbetur vetëm rrënojat, pritet t’i japë fund trafikut të rënduar për shkak të pozicionimit të pafavorshëm të terminalit ekzistues. Terminali i ri, me hapësirë më të madhe përfshin zyrat e agjencive të udhëtimit dhe ambiente shërbimesh për udhëtarët.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet