Trump, tarifa 25% mbi disa produkte europiane

SHBA do të vendosë taksa 20% për disa produkte europiane, përfshi këtu dhe verën franceze, djathin italian dhe uiskin skocez, në shenjë hakmarrjeje për subvencionet e BE-së mbi aeronautikën, duke vendosur tarifa edhe mbi këtë të fundit. Një deklaratë e tillë u bë menjëherë pasi agjencia e Përfaqësuesit të Tregtisë së Shteteve të Bashkuara fitoi miratimin e OBT-së për të vendosur tarifat e importit mbi 7.5 miliardë dollarë të mallrave europiane.

Marrja e një mase të tillë kërcënon të shkaktojë fillimin e një lufte tregtare transatlantike sidomos në një kohë të tillë kur ekonomia globale nuk është aspak e qendrueshme. Lista e plotë e produkteve që priten të goditen nga një tarifë e tillë përfshin produktet e kashmirit, ullinjtë nga Franca, Gjermania dhe Spanja, produktet e ndryshme me mish derri të prodhura në BE si proshuta, kafen gjermane, etj. Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi që nga data 18 tetor e këtij viti. Përfaqësuesi i Tregtisë së Shteteve të Bashkuara tha se vendimi i Organizatës Botërore të Tregtisë ishte një “fitore e rëndësishme” për Shtetet e Bashkuara.

Dy prodhuesit më të mëdhenj të aeroplanëve në botë kanë kohë që zhvillojnë një luftë ndërmjet tyre për të tërhequr secili sa më shumë subvencione të jetë e mundur. Por sipas OBT-së, si Airbus i Europës ashtu edhe dhe rivali i tij amerikan Boeing morën miliarda dollarë subvencione të paligjshme në mosmarrëveshjen më të madhe tregtare në botë të korporatave.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se një vendim i tillë do të godiste rëndë prodhuesin europian të aeroplanëve, i cili është njëkohësisht edhe një prej punëdhënësve më të mëdhenj industrialë në Gjermani, me seli qendrore në Francë. /Monitor/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet