A do të bëhet Silezia 'Wuhani' i Polonisë?

Marrë nga Deutsche Welle

Ruda Śląska në Silezinë e Epërme është qytet minatorësh. Shtëpitë karakteristike me tulla të kuqe janë ndërtuar mbi 100 vjet më parë për punëtorët e minierës së parë lokale të qymyrit.

Por që nga fillimi i majit, Ruda Śląska së bashku me qytetet e tjera të zonës ka qenë një pikat më të nxehta të pandemisë në Poloni. Në këtë rajon jetojnë rreth 4,5 milionë vetë. Aktualisht në Poloni ka rreth 18,000 raste të raportuara të të infektuarve me Covid 19, ndër to 5000 nga Silezia, e nga këta të fundit afërsisht 1.000 minatorë. Infektimet në Silezi janë në rritje, sepse nga rastet e reja që raportohen çdo ditë, dy të tretat vijnë aktualisht nga Silezia.

Në media ka pasur disa herë njoftime se shpesh banorët e kësaj zone, sidomos të rinjtë, nuk i kanë respektuar rregullat e karantinës dhe të distancës fizike. Por problematike janë edhe minierat e qymyrit ku puna vazhdon. Deri tani prodhimi është ndalur vetëm në tre nga 30 minierat e zonës. Ky rajon njihet tani si "Wuhani polak", sepse sipas mediave polake, qeveria dëshiron ta mbyllë tërë rajonin, si qyteti Wuhan në Kinë. Varshava e kundërshton me ngulm këtë lajm. "Askush nuk planifikon të mbyllë qytetet, askush nuk planifikon të kufizojë lirinë e lëvizjes", tha ministri i Shëndetësisë Lukasz Szumowski.

Krzysztof Mejer, politikan lokal, thotë për DW se nuk ka nevojë të bllokohet i gjithë rajoni, sepse do të mjaftonte reduktimi i punës në minierat e qymyrit. Por minatorët e kundërshtojnë një gjë të tillë. "Miniera nuk është dyqan. Nëse e mbyll, nuk mund ta hapësh më", thotë një minator nga miniera e qymyrit Jankovice në Rybnik në një intervistë me portalin polak para.pl. Miniera ku punon ai e ka ndalur prodhimin. "Nëse në minierë nuk punohet për tri-katër ditë, mund të shpërthejë zjarr dhe e gjithë puna jonë shkon kot. Në miniere duhet gërmuar dhe thithur uji gjatë gjithë kohës. Sado pak, por nuk duhet të ketë ndërprerje," shpjegon ai.

Pavarësisht nga rreziku i infektimit, ai dëshiron të rikthehet sa më shpejt normalisht në punë. "Shpresoj që më në fund të fillojnë të na testojnë si duhet dhe atëherë nuk do të kemi stres se mund të infektoheni. Se poshtë në galeri mbajtja e distancës prej dy metrash është e pamundur për ne."

Në minierën e Jankovices ka dy ashensorë, me të cilën zbresin nën tokë njëherazi 48 deri 120 vetë. Tani u lejohet vetëm gjysmës së minatorëve që t'i përdorin ashensorët në të njëjtën kohë. Orari i punës së atyre që ende vijnë ende në minierë për ta mbajtur atë teknikisht gjallë është shkurtuar në mënyrë të konsiderueshme.

"Ne kemi reduktuar orarin e punës në katër ditë në javë. Të ardhurat tona janë ulur me 20 përqind" thotë Sebastian Czogala nga Unioni i Minatorëve Polakë (ZZG). Ai nuk mund ta imagjinojë mbylljen e plotë të mineraveve sepse kjo do të thoshte falimentimin e gjithë industrisë.

Furnizimi me energji i Polonisë bazohet deri në 80 përqind te qymyri. 90,000 vetë punojnë në miniera dhe 90,000 të tjerë janë të punësuar në kompanitë përpunuese të prodhimeve minierale.

Votat e minatorëve mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Kjo është arsyeja pse kandidati i PiS, presidenti aktual Andrzej Duda, po përpiqet të fitojë zemrat e tyre. "Këto ditë ne jemi të gjithë nga Silezia. Së bashku do ta mposhtim pandeminë," shkroi Duda në Twitter.

Por Krzysztof Mejer nga Ruda Śląska pret më tepër vepra konkrete se sa llafe nga politikanët në Pragë. Qeveria sapo ka vendosur të zhvillojë 50,000 teste në Silezi brenda dy javëve të ardhshme. "Kjo është në rregull, por ende shumë pak. Dhe pak vonë", thotë 51-vjeçari.

Deri tani nga 60,000 minatorë që punojnë nën tokë në galeritë e ngushta janë testuar vetëm 15,000. Nëse do të ishin kryer më shumë teste që nga fillimi si në Gjermani, situata në Silezi nuk do të ishte kaq dramatike, thotë Mejer.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet