Ankaraja nën ujë. Shirat e dendur përmbytin kryeqytetin turk

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Ankara. Zona më e goditur është në distriktin Mamak të kryeqytetit turk. Deri tani raportohet se janë plagosur gjashtë persona. Madje, agjencia e lajmeve Anadolu ka raportuar për skena dramatike ku shoferët e makinave janë përpjekur të dalin nga makinat teksa një pjesë e madhe e automjeteve është marrë me vrull nga ujërat e fuqishme dhe të rrëmbyera.

Punonjësit e shumtë të bashkisë dhe zonave përreth kanë nisur punën për çbllokimin e kanalizimeve dhe shpëtimin e personave të bllokuar nga uji. Me qindra automjete janë dëmtuar ndërsa një pjesë e mirë e dyqaneve pranë rrugëve kryesore janë përmbytur. Kryebashkiaku i ankarasë Mustafa Tuna ka deklaruar se “një katastrofë e tillë natyrore nuk ishte parë ndonjëherë më parë”, ndërsa një tjetër zyrtar turk ka shtuar se rreshjet kanë qenë tejet të dendura për të paktën 4 orë nga e shtuna deri të djelë. “Duheshin vetëm 9 minuta që të përmbytej gjithçka”, ka thënë zyrtari.

Pamjet e shpërndara shfaqin makina dhe automjete të rënda të mbuluara nga uji, ndërsa një shofer përpiqet të ngjitet në majë të makinës për shkak të përmbytjeve. Rreshjet parashikohet të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave, teksa një pjesë e rreshjeve do të jenë të forta dhe në disa zona me shtrëngata. Do të duhet madje deri të shtunën e ardhshme që moti të nisë të qetësohet.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet