Banorët e Wuhanit do të lëvizin të lirë më 8 Prill. Qyteti i virusit më në fund 'heq prangat'

Në mënyrë që të krijohet mundësia e lëvizjes së banorëve në Wuhan, komisioni shëndetësor në provincën e Hubeit, ka deklaruar sot se “banorët e qytetit të Wuhanit do të lejohen të lëvizin jashtë qytetit në datën 8 Prill”.

Por lëvizja e tyre fillimisht do të kontrollohet dhe lejohet pasi ata të kenë skanuar një kod në të cilin do të regjistrohen të gjitha të dhënat personale, nëse janë banorë vendas të Wuhanit ose të ardhur por që nuk kanë patur mundësi të lëvizin gjatë gjithë kohës kur qyteti dhe provinca ka qenë e mbyllur për shkak të virusit, si dhe duke plotësuar një formular online me të dhëna të detyruara dhe të domosdoshme.

Banorët e Wuhanit do të jenë të lirë të lëvizin në datën 8 Prill, ndërsa banorët e qyteteve të tjera të provincës Hubei, do të mund të lëvizin duke nisur nga 25 marsi. Ndërkohë, i gjithë sistemi arsimor “kopështet, shkollat fillore, gjimnazet dhe universitetet, publike dhe private” do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura deri në vendimin përfundimtar të qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Qyteti ka qenë në karantinë që prej 23 janarit kur u deklarua edhe mbyllja e trafikut duke përfshirë sistemin e transportit publik, trenat dhe fluturimet, në mënyrë që të bëhej ndalimi i përhapjes së epidemisë sa më tepër të ishte e mundur.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet