''Bashkimi është në rrugën e duhur” Bergoglio dhe Kirill, mesazh botës

Papa Francesco dhe Patriarku Ortodoks rus Kirill u takuan dje në Kubë, duke shënuar një hap historik për bashkimin e kristianizmit. Pas një takimi plot emocione, dy krerët e kishës katolike dhe të kishës kryesore ortodokse firmosën një deklaratë të përbashkët ku shprehej keqardhje për plagën e shkaktuar nga konfliktet e së shkuarës dhe të tanishme mes kristianëve. “Me këtë takim të paprecedentë që prej ndarjes në vitin 1054 mes kishës së Lindjes dhe Perëndimit, bashkimi është në rrugën e duhur” komentoi para medias Jorge Bergoglio, pak para se të nisej për në Meksikë ku pritet të zhvillojë një vizitë pesë ditore. Sikurse pritej dy personalitetet i kërkuan gjithashtu politikanëve të ndërhyjnë për mbrojtjen e kristianëve në Lindje, viktima të luftës në Siri dhe të zgjerimit të grupit Shteti Islamik në rajon. “Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime urgjente për të penguar dëbimin e kristianëve nga Lindja e Mesme (…) Në Siri dhe në Irak, dhuna ka marrë tashmë mijëra jetë, duke lënë mijëra njerëz pa strehim dhe pa burime” shkruhet në tekstin e përbashkët. “Një ndihmë humanitare e shkallës së gjerë është e domosdoshme për popullsitë që vuajnë dhe për numrin e refugjatëve në vendet fqinje” vlerësuan dy krerët fetarë. “Ortodoksët dhe greko-katolikët kanë nevoj të bashkohen dhe të gjejnë forma të koegzistencës së përbashkët të pranueshme” njoftuan dy personalitetet në deklaratën e tyre. Duke pranuar se metoda e “uniatismit” të së shkuarës, përfshirë bashkimin e një komuniteti me një tjetër, duke e shkëputur nga kisha e tyre, nuk është një mënyrë për të fituar unitet, Kirill dhe Françesku i njohën “uniatëve” të drejtën për të ekzistuar dhe të bëjnë gjithçka është e nevojshme për t’iu përgjigjur nevojave shpirtërore të besimtarëve të tyre.Në përfundim dy krerët e dy kishave shprehën përputhshmërinë e tyre për tema si familja, martesa, aborti apo eutanazia dhe rikonfirmuan përkatësinë e tyre në rrënjët e krishtera të Europës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet