Britani, një milion klandestinë nuk mund të largohen - nga Arben MANAJ (Londër)

Duke folur përpara deputetëve britanikë të Komisionit parlamentar për punët e brendshme, ish Drejtori i përgjithshëm i emigracionit, David Woods deklaroi se mbi një milion ilegalë nuk do mund të largohen nga Britania. Mes emigrantëve ilegalë përfshihen ata që qëndrojnë edhe kur u kanë mbaruar vizat britanike, azilantë që u është refuzuar kërkesa për azil dhe kalojnë në të zezë, si dhe të huaj që hyjnë ilegalisht në Britani me mjete të ndryshme transporti, duke shmangur kontrollet kufitare.

Staticienët zyrtarë thonë se është e pamundur të saktësohej numri i saktë i atyre që jetojnë ilegalisht në Britani. Sipas një vlerësimi të para 12 vitesh, popullsia migratore e paautorizuar që jetonte në Britani ishte 430 mijë vetë, ndërkohë që emigracioni ilegal shkonte në shifrat e 150 mijë vetëve.

Në seancën e Parlamentit britanik u tha se, emigrantët ilegalë mendohet se ndikojnë në ekonominë britanike, pasi kjo kategori ka më pak gjasa të paguajë taksa, sesa ata që janë legalisht në Britani. Qeveria britanike ka forcuar masat për t’ua bërë sa më të vështirë jetën atyre që ëndërrojnë të jetojnë ilegalisht në Britani, por hyrjet ilegale duket se ende vazhdojnë në shifra të larta.

Shumica e shqiptarëve që mbërrijnë në Britani vijnë ilegalisht dhe një pjesë shumë e madhe e tyre nuk regjistrohen pranë autoriteteve të Emigracionit. Në të shkuarën është folur për një amnisti, si mënyrë për të lehtësuar deri diku situatën e krijuar, por momentalisht nuk flitet më për të dhe nuk ka asgjë konkrete.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet