Britania “blindohet” përpara vizitës së Trumpit

Nga Arben MANAJ - Londër

Edhe pse ekziton frika e sfumimit të rëndësisë së kësaj vizite, për shkak të turit europian të presidentit amerikan si dhe një takimi të mundshëm me Putinin, gjatë qëndrimit në Britani, presidenti amerikan do të takohet me kryeministren Theresa May në rezidencën e saj jashtë Londrës, “Chequers”, ku me një rëndësi të veçantë për Britaninë është një marrëveshje e mundshme tregtare amerikano-britanike pas “Brexit”-it, si dhe çështje të tjera të nxehta si NATO dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë.

Marrëdhëniet mes May dhe Trump janë ftohur, pas kritikave të herëpashershme të saj ndaj politikave dhe deklaratave të presidentit amerikan. Gjithsesi, ajo që cilësohet si “marrëdhënie speciale” mes Londrës dhe Uashingtonit pritet të rikonfirmohet, edhe pse vizita nuk do të ketë pompozitetin dhe ceremonitë e një vizite klasike shtetërore. Trump do të takohet edhe me Mbretëreshën Elisabeth II në “Windsor”, ndërkohë që Melania Trump do të vizitojë një spital fëmijësh. Sipas të gjitha gjasave, Trump pritet të shkojë edhe në Skoci, nga ku është me origjinë e ëma e tij, për pasionin e tij të vjetër të sportit të golfit.

Në kuadër të “Operacionit Protect Trump”, rreth 10 mijë policë dhe pjesëtarë të forcave speciale britanike, “SAS”, do të sigurojnë vizitën e presidentit amerikan, ndërkohë që priten protesta të mëdha kundër Trump në qendër të Londrës. Mendohet se vizita do të planfikohet e atillë që Trump të mos kalojë përmes Londrës dhe do të udhëtojë me helikopterin e tij presidencial nëpër takimet dhe vizitat që do të kryejë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet