FBI parandalon komplotin e pashembullt për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit

Në SHBA, autoritetet e organeve të rendit njoftuan të enjten për parandalimin e një komploti për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit Gretchen Whitmer, duke arrestuar gjashtë milicë anti-qeveritarë mesa duket të zemëruar për masat e izolimit të politikanes demokrate, gjatë pandemisë së koronavirusit.

Ata u akuzuan se kishin komplotuar për të rrëmbyer guvernatoren në shtëpinë e saj të pushimit si reagim ndaj asaj që ata e quajnë “pushtet i pakontrolluar i saj”, në bazë një padie penale që u bë e ditur të enjten në një gjykatë federale.

Personat kishin muaj që komplotonin, duke u këshilluar dhe trajnuar me anëtarë të milicisë dhe duke provuar skenarin në muajt gusht dhe shtator, sipas padisë. Katër nga gjashtë personat planifikuan të takoheshin të mërkurën “rreth një pagese për eksplozivët dhe për të shkëmbyer mjete taktike”, tha FBI-ja në padinë e dorëzuar në gjykatë.

Disa orë më pas, guvernatorja Whitmer fajësoi pjesërisht Presidentin Donald Trump, duke vënë në dukje se ai nuk i dënoi supremacistët e bardhë në debatin e javës së kaluar me rivalin demokrat Joe Biden, por se i tha një grupi të ekstremit të djathtë “të përmbaheshin dhe të prisnin”.

“Grupet e urrejtjes i dëgjuan fjalët e presidentit jo si një qortim por si një thirrje për mobilizim, si një thirrje për veprim,” tha zonja Whitmer. “Kur udhëheqësit tanë flasin, fjalët e tyre kanë rëndësi. Ato mbajnë peshë.”

FBI-ja citonte njërin nga të akuzuarit të thoshte se Whitmer “nuk ka fare kontrolle dhe balanca. Ajo ka tani pushtet të pakontrolluar. Çdo (privilegj) merr fund një ditë”.

Qeveria përdori informatorë dhe agjentë të fshehtë për të parandaluar komplotin e pretenduar. Të gjashtë personat u arrestuan të mërkurën në mbrëmje dhe secili përballet me burgim të përjetshëm. Prokurori i Miçiganit perëndimor, Andrew Birge i quajti ata “ekstremistë të dhunshëm”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet