Kina proteston kundër një luftanijeje amerikane pranë Detit të Kinës Jugore

Pekini ka protestuar sot pasi një luftanije e marinës së SHBA-së, ka hyrë të enjten në ujërat pranë shkëmbinjve Meiji, në ishujt e kontestuar të Spratly, në Detin e Kinës Jugore, njoftoi agjencia zyrtare kineze e lajmeve Hsinhua. “Operacioni ishte i paligjshëm dhe është kryer pa lejen e Pekinit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze , Geng Shuang, duke shtuar se marina kineze ka identifikuar luftanijen duke e paralajmëruar dhe larguar atë. “Një masë e tillë e dëmton rëndë sovranitetin dhe sigurinë e Kinës dhe rrezikon ashpër sigurinë e personelit të vijës së frontit të të dyja palëve”, shtoi ai. “Të gjitha operacionet janë kryer në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara do të fluturojnë, lundrojnë dhe veprojnë kudo që ligji ndërkombëtar i lejon ato”, tha Nicole Schwegman, zëdhënësja e flotës amerikane të Paqësorit. “Kjo vlen si për Detin e Kinës Jugore po ashtu edhe për vendet e tjera anembanë globit”, deklaroi ajo. Kohët e fundit, konflikti midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut është përshkallëzuar pas deklarimeve të presidenti të SHBA-së, Donald Trump për të nxitur Kinën për të ndaluar kërcënimet e Phenianit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet