Kina vazhdon pushtimin e detit me ishuj artificialë

Imazhet satelitore tregojnë se Kina vazhdon të ndërtojë me shpejtësi baza ushtarake në ishujt e Detit të Kinës Jugore, duke shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në këtë zonë mjaft të tensionuar. Sipas të dhënave publikuar nga Pentagoni, gjatë dy viteve të fundit, Kina ka shtuar me 3200 akra sipërfaqen e ishujve që kontrollon në det, pa llogaritur praninë ushtarake që shtohet dita-ditës.

Në këta ishuj artificialë, Kina ka ndërtuar baza ushtarake, porte dhe aeroporte, duke treguar fare qartë qëllimin e saj për të militarizuar zonën dhe sigurisht duke i dërguar mesazh vendeve që kanë pretendime territoriale se me çfarë do të përballen nëse guxojnë më shumë sesa protestat diplomatike.

Shtet e Bashkuara të Amerikës pretendojnë se sipas ligjit ndërkombëtar, këta ishuj artificialë nuk i japin Kinës të drejta shtesë territoriale apo detare, por përmirësojnë ndjeshëm praninë fizike të kombit komunist në këto zona në planin afatagjatë. Duket se ky është qëllimi i Kinës, pasi ligjet në letër, në rast se SHBA dhe kritikët e saj kanë të drejtë, zor se kanë fuqi më të madhe sesa ushtria në terren.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet