Koalicioni amerikan kundër ISIS-it hyn në vitin e katërt

Koalicioni ndërkombëtar i drejtuar nga SHBA-ja kundër grupit xhihadist Shteti Islamik (ISIS) hyri sot në vitin e katërt dhe për Pentagonin shkatërrimi i plotë i xhihadistëve është vetëm një çështje kohe. Më 8 gusht 2014, dy avionë të tipit FA-18 u ngritën nga një aeroplambajtëse amerikane për të kryer bombardimet e para të koalicionit kundër ISIS-it, në veri të Irakut. Tre vite pas një fushate intensive ushtarake të bazuar kryesisht mbi sulmet ajrore, koalicioni rimorri 70 për qind të territorit që xhihadistët kishin marrë në Irak dhe 50 për qind në Siri. “Asnjë centimentër i territorit që kemi çliruar nuk është rimarrë nga ISIS-i”, deklaroi dje zëdhënësi i Ministrisë amerikane të Mbrojtjes, Jeff Davis. Për atë ISIS-i është duke u përballur me një humbje të pashmangshme. “Në momentin më kulmor të përparimit të tyre, xhihadistët kishin pushtuar 104 000 kilometra katrorë në Siri dhe Irak dhe kishin tetë milionë persona nën zgjedhën e tyre”, theksoi Jeff Davis. Koalicioni përbëhet nga 69 vende, por vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre merr pjes në sulmet ajrore apo në misionet trajnuese të forcave lokale. /atsh/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet