Helmimi i ish-spiunit, May dëbon 23 diplomatë rusë

Pas helmimit të ish-agjenit rus dhe të bijës se tij, Britania e Madhe ka vendosur në zbatim planin e saj të hakmarrjes. "Ky shtet do të dëbojë 23 diplomatë rusë pasi Moska refuzoi të shpjegojë si agjenti nervor rus ishte përdorur për ish-spiunin rus, Sergei Skripal", bëri të ditur kryeministrja.

Në këtë mënyrë Rusia shpallet formalisht shteti fajtor për tentativën e vrasjes së ish-spiunit rus, pasi dështoi të jepte informacione brenda ultimatumit që skadoi në mesnatë nga ana e Britanisë së Madhe.

Theresa May tha se diplomatët kanë vetëm një javë kohë, për tu larguar pasi janë identifikuar si "oficerë të padeklaruar të inteligjencës"

Kryeministrja britanike u shpreh se rasti i helmimit të ish-spiunit rus nuk është një çështje që prek thjesht e vetëm një shtetas rus me nënshtetësi britanike, por përbën shkelje flagrante të konventave për parandalimin e armëve kimike, ndaj kërkoi një kundërpërgjigje ndërkombëtare.

Dëbimi i 23 diplomatëve rezulton të jetë më i rëndi në 30 vitet e fundit në ishull, ndërsa atyre iu është dhënë një javë kohë për t’u larguar nga vendi. May kërkoi nga qeveria edhe përfshirjen e disa amendamenteve të stilit “Magnitsky” në draftin e sanksioneve që do të vendosen ndaj Rusisë.

Rusia nuk pranon se ka gisht në tentativën e vrasjes së ish spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij. Si dhe ka refuzuar bashkëpunimin me Britaninë për hetimin e kësaj çështje.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet