Perendimi vlereson miratimin e Speciales

Misioni i BE-së dhe Ambasada e SHBA-së vlerësojnë miratimin e Speciales

PRISHTINË - Bashkimi Evropian, zyra në Prishtinë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë përshëndetur me anë të një komunikate miratimin e amendamentit kushtetues dhe të Ligjit për themelimin e Dhomave të Specializuara, menjëherë pas votimit në mesnatë të Projektligjit për Dhomat e Specializuara.

“Misionet e BE-së, Përfaqësuesi Special i BE-së, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë mirëpresin aprovimin e amendamentit kushtetues dhe ligjit të nevojshëm për themelimin e Dhomave të Specializuara. Ky ishte një hap i rëndësishëm në rrugën Euro-Atlantike të Kosovës. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi kanë demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën për shtyp.

“Dhomat e Specializuara janë instrument jetik për vendosjen e drejtësisë lidhur me pretendimet për krimet e supozuara gjatë konfliktit në Kosovë. Themelimi i tyre do të forcojë parimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe vendet tona do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës në këtë fushë. Duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke siguruar drejtësi për viktimat, Kosova mund të arrijë pajtimin dhe të ndërtojë të ardhme më të mirë”, përfundon komunikata e përbashkët.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet