Reagime të ashpra ndaj Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, Papa nuk e aprovon

Kreu i Vatikanit, Papa Françesku, nuk e aprovon vendimin e Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. “I lutem Zotit që identiteti i tij të ruhet dhe forcohet në dobi të Tokës së Shenjtë, Lindjes së Mesme dhe të gjithë botës, dhe që mençuria dhe maturia mbizotërojnë për të parandaluar që elementët e rinj të tensionit të shtohen në një kontekst global tashmë të tronditur nga kaq shumë konflikte mizore”, u shpreh Papa Françesku. Presidenti palestinez Mahmud Abbas dënoi dhe hodhi poshtë vendimin e Trump. Duke folur në një dalje televizive, udhëheqësi palestinez tha se: "Këto procedura dëmtojnë tërë rajonin, i cili po kalon momente kritike dhe do të na çojë në luftëra”.

Kryenegociatori palestinez Saeb Erakat tha se vendimi i Trump tregoi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës lanë jashtë mundësinë për të luajtur ndonjë rol në çdo proces paqeje. "Presidenti Trump shkatërroi çdo politikë të dy shteteve" tha Erakat në një deklaratë. "Kjo është në kundërshtim të plotë në raport me marrëveshjet e nënshkruara midis palestinezëve dhe izraelitëve".

Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım lidhur me vendimin e SHBA-ve për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit tha se “Ky vendim është një goditje e rëndë ndaj përpjekjeve për paqe mes Palestinës dhe Izraelit si dhe ndaj procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Me këtë vendim në rajon është hapur kutia e Pandorës”, transmeton Anadolu Agency.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet