Rrëzohet helikopteri në lumin lindor të Nju Jorkut. Dy viktima

Dy persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri në lumin lindor në Nju Jork, ndërsa tre persona të tjerë të cilët ndodheshin në bordin e helikopterit ndodhen në gjendje kritike për jetën në spital pasi ata janë nxjerrë nga ujërt e ngrira të lumit. Departamenti i zjarrfikësve në Nju Jork, ka deklaruar se piloti ka arritur të manovrojë dhe të hidhet jashtë helikopterit, ndërsa autoritetet shtojnë se helikopteri kishte brenda 6 persona të cilët ishin duke kryer një fluturim të ulët për të bërë foto, para se të rrëzohej në afërsi të ishullit Roosevelt në orën 5 pasdite sipas orës lokale.

Një video e postuar në rrjetet sociale, tregon helikopterin e kuq teksa tenton të rimarrë kontrollin gjatë uljes në sipërfaqe të ujit. Në atë moment nis edhe problemi teksa fillon të përplaset në ujë. Gjatë konferencës për shtyp, departamenti i zjarrfikësve dhe shefi i tyre Daniel Nigro, e ka quajtur ngjarjen si “një tragjedi të madhe”. “Është dashur jo pak kohë për zhytësit të nxjerrin trupat nga uji. Ata punuan me shpejtësinë maksimale të mundshme. Thellësia arrin deri në 15 metër”, është shprehur Nigro.

Shefi i zjarrfikësve ka shtuar se puna ka qenë e vështirë sidomos në këtë sezon kur edhe temperatura e ujit ka qenë nën 0 gradë. Autoriteti i Aviacionit Federal, ka thënë se është duke hetuar në lidhje me ngjarjen në fjalë. Bordi Kombëtar i Shërbimit të Transportit do të merret në vazhdim me hetimin e ngjarjes së rëndë.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet