Kurti, protestuam kundër shkëmbim-informacionit mes EULEX dhe Serbisë. Vetevendosja: ''protesta jonë e nesërme do të jetë masive''

Pas arrestimit të mbrëmshëm të aktivistit dhe zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje Frashër Krasniqi, policia ka arrestuar sot edhe deputetin e kësaj lëvizje Glauk Konjufca. Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar edhe Tinka Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo, nuk dha më shumë detaje, përveç se Glauk Konjufca është shoqëruar në polici. Urdhri për arrest është lëshuar nga Gjykata Themelore. Bashkë me Krasniqin dhe Konjufcën të akuzuar janë edhe 25 të tjerë për dëmtim të veturave të EULEX-it gjashtë vite më parë në parkingun mbrapa Pallatit të Rinisë.

Lëvizja Vetëvendosje bëri të ditur në një komunikatë për mediat se, "deri tash, janë arrestuar tetë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Shumë aktivistë të tjerë po kërkohen nëpër shtëpitë e tyre - dhe paralajmeron - Arrestimet në prag të protestës vetëm na i shtojnë motivet dhe kërkesat e protestës. Protesta jonë e nesërme do të jetë masive dhe e fuqishme, kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, kundër Qeverisë që po angazhohet për instalimin e Serbisë në Kosovë."

"Ne kërkojmë lirimin nga burgu të aktivistëve tanë, pra kërkojmë lirimin e menjëhershëm të këtyre të burgosurve politikë të regjimit Mustafa - Thaçi. Preteksti i regjimit është aksioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 25 gusht 2009, kur u rrotulluan 25 xhipa të EULEX-it. Atëbotë ne kundërshtonim Protokollin e bashkëpunimit që kishte nënshkruar EULEXi me policinë kriminale të Serbisë, pra për ta lejuar ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë. Ky protokoll mes tjerash parashihte këmbimin e informatave mes policisë së EULEXit dhe asaj të Serbisë për aktivitetin policor. Sa më shumë që kalon koha nga ai aksion, aq më i drejtë e më minimal na duket ai. Ne përmes atij aksioni protestuam kundër ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë, dhe kundër EULEXit që po e shtynte përpara një gjë të tillë. Ne nesër do të protestojmë kundër instalimit të Serbisë në Kosovë, dhe kundër kësaj qeverie që po keqpërdor të gjithë mekanizmat shtetëror për t’i realizuar projektet e Serbisë në Kosovë" deklaroi Albin Kurti në një konferencë për shtyp, një ditë para protestës së aktivistëve.

Aktivistët e arrestuar deri tani janë: Fatmir Kurtaj, Frashër Krasniqi, Glauk Konjufca, Kasim Uka, Kujtim Kosumi, Kushtrim Zeqiri, Pajtim Demaj, Skender Merturi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet