Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të përçarë pas zgjedhjeve/ Protestë për vjedhjen e votave

Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut kundërshton rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 15 korrik duke pretenduar se vota është vjedhur dhe ankesat e dorëzuara nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet përkatëse.

Mbështetësit e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa marshuan paqësisht, duke akuzuar edhe partinë Bashkimi Demokratik për Integrim si hajdute të vullnetit politik të shqiptarëve.

“Kërkojmë nga BE-ja që ta dënojë abuzimin e votës dhe të mos e njohë legjitimitetin e BDI-së. Të reformohet kodi zgjedhor, që vendi të mund të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Beteja për demokraci do të vazhdojë deri në arritjen e saj. Dymbëdhjetë deputetët tanë do të jenë zëri i shqiptarëve për demokraci. Nëse kërkesat tona shpërfillen, ne do të vazhdojmë me të gjitha format e protestës”.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa pretendojnë se manipulimi i votave është bërë në veçanti në rajonin e Kërçovës, por edhe në vendbanime të tjera. Në këtë zonë është reflektuar dallimi më i madh në vota, rreth 11 mijë në favor të BDI-së, ndërkohë që në të gjitha njësitë e tjera rezultati ishte pothuajse i barabartë.

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve i vlerësoi votimet të rregullta dhe demokratike dhe i refuzoi si të pabaza rreth 1,400 ankesa të koalicionit opozitar. Në zgjedhjet e 15 korrikut, BDI ka fituar rreth 103,000 vota të përkthyera në 15 mandate, ndërsa opozita shqiptare rreth 86,000 vota ose 12 vende në parlament.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet