Tërmet i fuqishëm në Lesbos të Greqisë. 1 viktimë dhe shtëpi të shkatërruara

Një person ka vdekur teksa ka ngelur nën gërmadhat e banesës së saj në fshatin Vrisa të Lesbos në Greqi, zona më e goditur nga tërmeti 6.2 ballë sipas shkallës Rihter në zonën e Egjeut deri në rajonet turke. Viktima është një grua 45 vjeçare. Tërmeti ka shkaktuar edhe plagosjen e mbi 10 të tjerëve. Bilanci i deri tanishëm do të jetë më i madhi i historisë greke edhe për zyrat qeveritare në ishullin grek.

“Shtëpia nuk është më. Nën të ndodhet edhe makina ime”, tregon njëri nga banorët. “Këtu nuk ka më asnjë të ardhme. Do të largohemi që të gjithë. Nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të bëhemi refugjatë në vendin tonë. Nuk ka asnjë mundësi madje edhe për ndihmë nga qeveria. Vetëm premtojnë”, shton një tjetër banor.

Athina zyrtare ka mobilizuar ushtrinë për të ndihmuar gjatë kësaj krize duke vendosur tenda në stadiumin e ishullit me rreth 800 persona. Kjo është gjendja e përkohshme deri në rregullimin e gjithçkaje. “Shtëpitë më të vjetra të fshatit Vrisa janë shkatërruar thuajse komplet. Banorët e Lesbos kanë ndihmuar mijëra banorë dhe refugjatë gjatë dy viteve të fundit. Tashmë banorët e Vrisas kanë nevojë vetë për ndihmë jetësore dhe rindërtimin e zonës”, deklaron Michalis Arampatzoglou.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet