'Unë jam Zoti'. Pasagjerja bërtet dhe mundohet të hapë derën e kabinës së avionit gjatë fluturimit

Pasagjerët, në njërin nga fluturimet amerikane, janë detyruar të ndalojnë me forcë një grua pasi ajo tentoi të hapë derën e kabinës në mes të fluturimit, teksa ishte duke bërtitur disa herë “Unë jam Zoti”. Piloti i avionit nëpërmjet mikrofonit të zërit u kërkoi pasagjerëve të jenë të qetë dhe të ndalojnë me çdo mënyrë gruan e cila tentoi me të gjithë forcën për të hapur derën e kabinës. “Ajo u ngrit nga vendi ku ishte ulur dhe nisi të bërtasë me të madhe duke vrapuar drejt derës kryesore të kabinës për ta hapur. Vazhdoi të bërtasë për një kohë të gjatë (Unë jam Zoti, unë jam Zoti)”, ka deklaruar një pasagjer për televizionin rajonal KVTB.

Njëri nga pasagjerët arriti ta ndalojë gruan duke e ulur në tokë dhe vendosur gjurin e tij mbi kurrizin e saj përpara se mbi gruan të vendosej një mbajtëse plastike me zinxhirë, për ta qetësuar. “Unë u tmerrova. Nuk e kisha idenë se ç’po ndodhte”, ka thënë një tjetër pasagjer. “Gruaja në fjalë nuk ishte në rregull që nga fillimi i udhëtimit. Ishte shumë nervoze gjatë gjithë kohës”, ka shtuar ai. Pasagjeri thekson se ishte shumë e frikshme me veprimet e saj, pasi edhe ai nuk e kishte idenë sa forcë duhej për të hapur derën e kabinës, e cila duhet hapur vetëm në rast urgjence.

Disa prej pasagjerëve kanë filmuar ngjarjen dhe në video duket gruaja e cila është shtrirë në sedilje nga dy burra të cilët e mbajnë fort për të mos lëvizur. SkyWest airline nuk e ka bërë të ditur identitetin e gruas, por në një deklaratë ka thënë se “pasagjerja është duke u marrë në pyetje nga forcat e rendit pas uljes në aeroport”. Policia e qytetit Boise ka konfirmuar se gruaja është banore e zonës dhe aktualisht ndodhet në Departamentin e Shëndetit Mendor në Idaho, ndërkohë që FBI po heton për ngjarjen. Avioni arriti të bënte uljen në Boise pa asnjë problem tjetër.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet