5 Mënyra për të përmirësuar sot, balancën Punë - Jetë

nga Sammi CARAMELA

Në shumë artikuj e libra që kemi pasur mundësi të konsultohemi, nuk kemi mundur të gjejmë një formulë perfekte (dhe nuk besojmë se dikush e ka gjetur), për të kuptuar se si të harmonizoni kohën ndërmjet karrierës dhe jetës tuaj. Ndërkohë që puna është shumë e rëndësishme, po kështu janë edhe gjërat e tjera, si shëndeti, kujdesi ndaj vetes, familjes dhe miqve. Balanca Punë-Jetë është diçka që të gjithë e kërkojmë, dhe ndonjëherë na duket sikur e kemi arritur atë, por shikoni më poshtë artikullin e autores Sammi Caramela, e cila ka hulumtuar shumë dhe ju rekomandon 5 mënyra, që mund t'i përdorni për këtë qëllim. Lexim të këndshëm!

Puna është normë shoqërore dhe e pritshme: Ju shkoni në shkollë pastaj filloni një punë. Por karriera juaj nuk duhet të jetë kaq e paracaktuar dhe e kufizuar. Puna nuk është vetëm një mënyrë për të fituar parà; ajo duhet t'ju shërbejë si financiarisht ashtu edhe emocionalisht.

"Suksesi, sipas mendimit tim, ka të bëjë me të jetuarit dhe me të bërit e zgjedhjeve që ju udhëheqin drejt objektivave tuaja, për të qenë më të mirët" – ka thënë Dr Michael Tischler, i cili vazhdon - "Çelësi i vërtetë është të krijoni objektiva për të cilat të jeni të apasionuar në lidhje me shëndetin/pamjen, karrierën dhe marrëdhëniet".

Ndërsa puna ndonjëherë mund të jetë kërkuese, ajo kurrë nuk duhet të bëhet një prioritet mbi mirëqenien tuaj. Ju keni nevojë për kohë dhe energji për dëshirat dhe interesat tuaja ashtu si edhe për familjen dhe të dashurit tuaj. Mos shpenzoni tetë orë në ditë duke punuar vetëm për të ardhur në shtëpi dhe për të lënë pas dore gjërat që e mbajnë shpirtin të motivuar dhe pasionin të freskët. Më poshtë po ju paraqesim pesë mënyra, për të përmirësuar harmoninë Punë - Jetë.

Dijeni se nuk ka ekuilibër "të përsosur": Kur dëgjoni "balanca Punë - Jetë", ndoshta imagjinoni të zgjoheni diku në orën 5 të mëngjesit, të bëni fiskulturën e mëngjesit, të merrni drekën tuaj të gatuar në shtëpi dhe të shkoni në punë, pastaj të ktheheni në shtëpi, në kohën për të ngrënë darkë, të bëni disa punë të vogla dhe të shtriheni me një libër të bukur në shtrat, deri në orën 21:00. Por kjo nuk ndodh shpesh.

Mos u përpiqni për orarin e përsosur, përpiquni për një orar realist. Disa ditë mund të përqendroheni më shumë në punë, ndërsa në ditë të tjera mund t'i jepni më shumë kohë dhe energji dëshirave tuaja ose të çlodheni me të dashurit tuaj. Balanca arrihet me kalimin e kohës, jo çdo ditë.

"Është e rëndësishme të jeni në gjendje të vlerësoni vazhdimisht se ku jeni, kundrejt objektivave dhe prioriteteve tuaja" - thotë Heather Monahan - "Ndonjëherë fëmijët tuaj mund të kenë nevojë për ju, dhe herë të tjera mund të keni nevojë të udhëtoni për punë, por t'i lejoni vetes të jeni të hapur, për të identifikuar dhe vlerësuar nevojave tuaja çdo ditë, është çelësi në gjetjen e ekuilibrit".

Prioritizoni shëndetin tuaj: Shëndeti juaj i përgjithshëm duhet të jetë shqetësimi juaj kryesor. Nëse keni qenë duke luftuar me ankthin ose depresionin dhe mendoni se terapia do t'ju sjellë dobi, gjeni patjetër kohë për ato seanca në orarin tuaj, edhe nëse duhet të largoheni nga puna herët ose të anulloni aktivitete të tjera. Nëse po luftoni me një sëmundje kronike, mos kini frikë të bëni pushime. Nëse se bëni do t'i mënjanoni vetes shërimin dhe me shumë mundësi kjo, do t'ju shkaktojë të bëni më shumë ditë pushimi në të ardhmen.

"Prioritizimi i shëndetit tuaj, së pari dhe më kryesori, do t'ju bëjë punonjës më të mirë dhe persona më të mirë" - thotë Monahan, -"Ju do të humbisni pak nga puna, por kur të ktheheni aty, do të jeni më të lumtur dhe më produktivë".

Sipas Tischler, kjo mund të jetë aq e thjeshtë sa meditimi dhe stërvitja e përditshme në lidhje me profesionin tuaj.

Sigurohuni që ju pëlqen puna juaj: Nëse e urreni atë që bëni, nuk do të jeni të lumtur. Kaq e thjeshtë është. Nuk është e thënë të doni çdo aspekt të punës tuaj, por ajo duhet të jetë mjaftueshëm emocionuese, sa që nuk do të keni frikë të çoheni nga shtrati çdo mëngjes. Monahan rekomandoi zgjedhjen e një pune, për të cilën jeni aq të apasionuar sa që do t'a bënit atë falas.

"Nëse puna juaj është duke ju marrë gjithë energjinë dhe e keni të vështirë të bëni gjërat që doni jashtë punës, diçka nuk shkon" - thotë ajo, "Ju mund të jeni duke punuar në një mjedis toksik, për një person toksik, ose po bëni një punë të cilën nuk e doni vërtet. Nëse është kështu, është koha për të gjetur një punë të re".

Mos kini frikë të “hiqni spinën: “Jetojmë në një botë të lidhur, e cila nuk fle. Prerja e lidhjeve me botën e jashtme, hera-herës na lejon të shërohemi nga stresi javor dhe na jep hapësirë që të na lindin mendime dhe ide të reja” – thotë Jackie Stone. "Kur jeni gjithmonë të zhytur, ju nuk i lejoni gjërat e tjera të dalin në sipërfaqe, e këto mund të jenë më të rëndësishme" - shton ajo. "Unë meditoj çdo mëngjes për 10 minuta, gjë që më siguron një fillim të mrekullueshëm për ditën time".

Ndonjëherë, të stakohesh vërtet, do të thotë të bësh pushim dhe të mbyllësh punën krejtësisht, për një farë kohe.

"Një pushim mund të jetë një shëtitje 15-minutëshe pa e parë telefonin, ose një pushim mund të jetë dy ose tre javë udhëtim me familjen ose miqtë" - thotë Stone. "Është e rëndësishme të bëni një hap mbrapa për t'u karikuar si fizikisht edhe mendërisht. Nëse jeni të rrethuar nga njerëz të mirë në punë, një pushim mund të merret lehtë".

Monahan shton se kur ajo udhëtonte me shefin e saj për punë, ajo e shihte shefin duke lexuar roman, ndërsa ajo vetë bënte diçka lidhur me punën.

"Unë nuk e kuptoja në atë kohë, se ai ishte duke i dhënë vetes një pushim për t’u qetësuar, ndërsa unë isha duke e çuar veten drejt një rraskapitje të mundshme" - thotë ajo. Tani ajo praktikon të njëjtën taktikë. Të merrni kohë për t'u çlodhur është thelbësore për suksesin dhe do t'ju ndihmojë të ndiheni më energjik, kur jeni në punë.

Gjeni kohë për veten tuaj: Ndërsa puna është e rëndësishme, ajo nuk duhet të jetë e tërë jeta juaj. Ju ishit një individ para marrjes së këtij pozicioni, dhe duhet të prioritizoni aktivitetet ose dëshirat, që ju bëjnë të lumtur.

"Mund të bëni një shëtitje në park, mund të bëni një masazh ose banjë të nxehtë, është e rëndësishme që gjithmonë të zgjidhni një orë në javë për të bërë diçka për veten tuaj" - sugjeron Mark Feldman.

Përveç kësaj, ju duhet të fokusoheni t'a rrethoni veten me të dashurit dhe jo të nxirrni justifikime për të qenë vetëm gjatë gjithë javës. Vetëm për shkak se puna ju mban të zënë nuk do të thotë që ju duhet të neglizhoni marrëdhëniet personale.

"Duhet të keni parasysh se askush në kompaninë tuaj nuk do t'ju dojë apo nuk do t'ju vlerësojë në mënyrën se si të dashurit tuaj ju duan dhe ju vlerësojnë" - thotë Monahan. "Gjithashtu edhe se të gjithë janë të zëvendësueshëm në punë, dhe pa marrë parasysh se sa e rëndësishme mendoni se është puna juaj, kompania nuk do të humbasë asnjë sekondë nesër, nëse largoheni nga kjo botë".

Mos e merrni si të mirëqenë se të dashurit tuaj do t’ju jenë gjithmonë pranë, vetëm për shkak se e dini që ata do të jenë gjithmonë aty për ju. Sikur edhe vetëm për këtë, kjo është më shumë se arsye, për të gjetur më shumë kohë për ta.

Tani, pyetja ime për ju është: Çfarë mund të bëni SOT për të krijuar më shumë SIGURI, PËRKUSHTIM dhe VLERËSIM në organizatën tuaj?

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet