7 këshilla për të patur një kujtesë më të fortë dhe afatgjatë

Kujtesa na e pasuron jetën. Pa të, do ta humbnim fillin e vazhdimësisë dhe çdo mëngjes në pasqyrë do të na shfaqej një i huaj. Çdo ditë e ngjarje do të ishte pa lidhje , as do të mësonim nga e kaluara, as do të bënim plane për të ardhmen.

E nëse dëshironi ta ruani gjatë në mendje informacionin, duhet të keni një kujtesë të fortë dhe afatgjatë.Po si mund ti arrini këto të dyja? Këshilat e mëposhtme do t'ju ndihmojnë.

1▪ Trego interes

Kultivo interes për një çështje dhe kujtoji vetes arsyet pse duhet të mësosh rreth saj. Siç mund ta dish nga përvoja, kur futen ndjenjat, gjërat të nguliten më thellë në kujtesë.

2▪ Kushto vëmendje

Në shumicën e rasteve, kujtesa e dobët vjen nga vëmendja e dobët. Trego interes dhe, kur është e mundur, mbaj shënime. Mbajtja e shënimeve jo vetëm që ta përqendron mendjen, por edhe të ndihmon që ta rishikosh më vonë materialin.

3▪ Përpiqu të kuptosh

Me gjithçka që fiton, fito kuptueshmëri. Kur nuk e kupton një mësim ose koncept, zakonisht nuk e kujton mirë ose nuk e kujton fare. Kur e kupton mirë diçka, dallon lidhjen midis pjesëve dhe i ndërthur sipas një linje logjike. Për shembull, në rast se një student i mekanikës e kupton si punon motori, do t’i kujtojë më mirë hollësitë për motorin.

4▪ Organizo materialin

Ndaji në grupe konceptet e ngjashme ose idetë që lidhen me bashkë. Për shembull, një listë ushqimesh mbahet mend më kollaj kur artikujt i ndajmë në grupe: mishrat, zarzavatet, frutat e të tjera. Veç kësaj ndaje informacionin në pjesë më të vogla, me jo më shumë se pesë. Numrat e telefonit në përgjithësi ndahen në pjesë, që të mbahen mend më lehtë. Së fundi, mund ta kesh më të lehtë po ta bësh listën sipas një rendi, mbase sipas rendit alfabetik.

5▪ Thuaje me zë

Kur e përsërit me zë atë që dëshiron të kujtosh

Për shembull, një fjalë a shprehje në gjuhë të huaj, forcohen lidhjet nervore. Si ndodh kjo? Pikësëpari, kur i thua fjalët, kjo të detyron të kushtosh vëmendje. Së dyti, mësuesja mund të të japë menjëherë udhëzime. Dhe së treti, kur dëgjon, madje edhe veten, vihen në punë pjesë të tjera të trurit.

6▪ Përfytyroje

Imagjinoje atë që dëshiron të mbash mend. Ndoshta mund të bësh edhe një vizatim a skicë të saj. Ashtu si përsëritja me zë, edhe përfytyrimi aktivizon pjesë të ndryshme të trurit. Sa më shumë shqisa përdor, aq më thellë ngulitet informacioni.

7▪ Lidhe me atë që di

Kur mëson diçka të re, lidhe me atë që di. Lidhja e ideve të reja me atë që është ruajtur në kujtesë, e bën më të lehtë kodimin dhe riprodhimin e informacionit, sepse shërben si sinjal për trurin. Për shembull, që të mbash mend emrin e dikujt, lidhe me ndonjë tipar të veçantë të paraqitjes së tij ose me diçka tjetër që ta sjell ndër mend atë emër. Sa më humoristike a e çuditshme të jetë lidhja, aq më mirë e mban mend informacionin. Me pak fjalë, duhet të mendojmë për njerëzit dhe gjërat që duam të mbajmë mend.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet