Arti i mësimdhënies së Erviola Konomit

"Njerëz të padukshëm", solli sot historinë e Erviola Konomit, mësuese matematike në Patos, e cila me pasionin dhe dashurinë për profesionin ka hapur dritare të reja për nxënësit e saj.

Prej 13 vitesh ajo udhëton me autobus çdo mëngjes nga Fieri drejt Patosit, ku dhe jep mësim në shkollën e mesme të përgjithshme “Zhani Ciko” në Patos.

“Duke ecur nëpër rrugët e Fierit, mëngjes për mëngjes më vjen ndërmend thënia: ‘nuk është më i forti apo më inteligjenti ai që ka mbijetuar, por ai që di të përshtatet më së miri’. Unë udhëtoj prej 13 vitesh me autobus drejt Patosit aty ku ushtroj profesionin dhe pasionin tim. Duke lënë pas problemet e shumta familjare dhe problematikat që mund të ketë një nënë, kur hyj në këtë derë filloj përkushtimin drejt një bore të re”, shprehet ajo.

Konomi shprehet se profesionin e mësuesit e ka zgjedhur me dëshirën e saj dhe e ushtron me pasion.

“Mësuesia është një nga profesionet më të bukura, pasi mësuesi dita-ditës konsumon veten për të dhënë dije dhe njohuri, për të shpërndarë pasionin dhe dijen tek të tjerët. Ne inkurajojmë të rinjtë drejt një të ardhme më të sigurt”, shprehet ajo.

Nën udhëheqjen e saj, nxënësit e shkollës “Zhani Ciko” në Patos kanë marrë pjesë në shumë kompeticione dhe olimpiada kombëtare dhe ndërkombëtare ku dhe janë shpallur fitues.

“Nuk është e lehtë të arrish deri këtu, por pasioni për lëndën dhe profesionin më ka shtyrë të integrohem shumë kollaj në këto platforma dhe t’u hap nxënësve të Patosit një horizont dhe derë drejt të ardhmes së tyre. Në fund rezultatet janë të larta”, tha ajo. /Ata/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet