Kufizimi i lëvizjes 05:00-13:00 do vazhdojë gjatë gjithë javës, pas këtij orari mbyllur farmacitë, supermarketet dhe bankat

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, nga ora 13:00 e së shtunës deri të hënën në orë 05.00, të gjithë do të qëndrojnë në shtëpi pasi ndalohet qarkullimi dhe ky orar do të vijojë përgjatë gjithë javës që vjen.

“Kush nuk do të dëgjojë, le ta provojë dhe do ta shikojë se si meqë nuk merr vesh me të mirë, do ta mësojë me pahir”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se “administrata do të punojë nga ora 05:00 deri në 13:00 dhe kush punon në zyrë nuk do të marrë makinën personale për të shkuar në zyrë”.

Po ashtu, Rama tha se “pas orës 13:00 nuk do të jenë më hapur as farmacitë, as supermarketet dhe as bankat”.

“Nuk do të dalë askush nga shtëpia, përveç forcave të policisë, ushtrisë nuk do të jetë hapur asnjë lloj dyqani dhe qepeni”. “Kush do ta thyej shtetrrethimin do të përballet me forcat e rendit”, tha Rama.

Kryeministri tha se “një pakicë e vogël fare, po mëse e mjaftueshme për të na çuar drejt një katastrofe kombëtare, nuk mund të hedhë në plehra rezistencën e madhe popullore që 99% e shqiptarëve po e bëjnë mrekullisht”.

“Një tufë të pabindurish, tradhtarë lufte që përhapen rrugëve si virus shoqëror, për t’u kthyer në baza ushtarake të armikut që bombardon përmes tyre, do t’i përgjigjemi me gjuhën e forcës ligjore e policore”, tha Rama.

Ai siguroi se “këtë luftë do ta çojmë deri në fund me çdo çmim e çdo mjet, si një familje e vetme dhe pa asnjë tolerancë për tradhtarët mes nesh”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet