Manastirliu: Kufizohen dhe ndalohen operacionet e planifikuara

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një deklaratë për mediet u shpreh se pas 65 rasteve të testuara, në proces janë edhe 14 raste të tjera të cilët janë familjarët dhe kontaktet e ngushta të personave të prekur nga koronavirusi.

“Janë testuar deri tani që flasim, 65 raste në laboratorin e virologjisë në institutin e Shëndetit Publik. Dy prej të cilëve kanë rezultuar pozitivë, sikurse ju jeni në dijen. Në proces testimi janë 14 raste të cilat i përkasin familjarëve, të kontakteve të ngushta të rasteve të cilat janë të identifikuar pozitivë. Sikurse kemi bërë deri tani, me transparencë maksimale do t’iu informojmë për çdo hap, për çdo vendim që do marrim dhe çdo informacion të rëndësishëm për qytetarët që ju t’a transmetoni në kohë reale për ta”, -tha Manasitrliu ndër të tjera.

Kufizim i ndërhyrjeve operatore kirurgjikale të planifikuara

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi po ashtu se është marrë një tjetër vendim.

Kemi marrë vendimin për kufizimin e ndërhyrjeve operatore kirurgjikale të planifikuara duke përjashtuar këtu të gjitha ndërhyrjet operatore që kanë lidhje me patologji malinje. Këtu po informoj se nuk dua që të këtë keqkuptime, nuk do të ketë asnjë ndalim sa i përket shërbimeve kirurgjikale të urgjencave. Pra,do të vijojnë në normalitetin e tyre dhe qytetarëve do t’u sigurohet shërbim.

Të gjitha këto masa që merren nuk cenojnë aspak shëndetin për qytetarët, por përkundrazi vendosin rregulla për të forcuar masat dhe për t’iu përgjigjur më mirë situatës së krijuar, pa cenuar shërbimin ndaj qytetarët dhe duke ofruar garanci që qytetarët të cilët kanë nevojë për kujdes shëndetësor, të marrin kujdes shëndetësor maksimal dhe cilësor, nga stafet tona të kujdesit shëndetësorë”, -tha ajo.

Sipas saj, “një vendim tjetër ka të bëjë me shtetasit që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe vijnë nga zona e kuqe apo përreth që do të vetëkarantinohen në mënyrë të të detyruar për një periudhë 14 ditore, në ambientet e banesave të tyre, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga covid.

Ftoj qytetar të respektojnë masat e përcaktuara sepse është shumë I rëndësishëm bashkëpunimi me ju në këto momente. Ka nevojë për qetësi, jo për panik dhe na duhet të bëjmë një pakt me ju, një pakt për qytetarët për t’u përballur me këtë betejë dhe për t’ia dalë.

Pra, të gjitha masat që japin institucionet në raport me parandalimin e përhapjen e koronavirusit të ri, duhet të zbatohen me rigorozitet. Që nga masat e thjeshta të larjeve të duarve 20 sekonda me detergjente, të të gjithë elementëve në raport me kollitjen apo tështimën, duhet të jemi të vëmendshëm për t’i zbatuar këto rregulla të thjeshta, por në fakt ka evidence që na thonë që kufizojnë shpërhapjen e këtij virusi.Kushdo qytetar që ka patur historik udhëtimi, apo persona që kanë pasur kontakt me persona të tillë, të telefonojë në 127 dhe do të ndiqen sipas protokollit”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet