Rritet numri i të sëmurëve me koronavirus në Shqipëri, 18% më shumë se dje, 23 raste të reja

Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi sot se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 23 raste të reja me COVID-19 dhe janë kryer 111 testime.

Rakacolli tha se “deri në këto momente testuar 1041 janë raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 146 qytetarë.”

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Krujë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intensitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

Tiranë 83 qytetarë

Durrës 9 qytetarë

Lushnje 4 qytetarë

Elbasan 3 qytetarë

Fier 14 qytetarë

Rrogozhinë 2 qytetarë

Kavajë 4 qytetarë

Korçë 11 qytetarë

Vlorë 5 qytetarë

Shkodër 3 qytetarë

Lezhe 4 qytetarë

Berat 1 qytetarë

Has 2 qytetarë

Krujë 1 qytetar

“Ju informojmë se në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 72 pacientë të shtruar, 4 prej tyre janë në terapi intensive (3 pacientë janë të intubuar në gjendje të rëndë). Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Lajmi i mirë është se 17 qytetarë deri në këto momente janë shëruar (të shtruar dhe të vetëizoluar) pas dy testeve të kryera. Por ata duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim për 14 ditë”, deklaroi zv.ministrja.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital!

Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për çdo shqetësim tjetër që ata kanë.

Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!

Author
Doriana Metollari

Doriana Metollari, është gazetare dhe Editore e platformes informative online Hermesnews.al, themeluar në Itali në vitin 2006. Ka menaxhuar dhe disa gazeta të tjera online po në Itali, një prej tyre dhe në bashkëpunimin me kompaninë 'Edizioni Vivere' në Le Marche. Ajo ka drejtuar po ashtu projekte për Bashkimin Europian dhe për OKBnë në fushën e të drejtave, kulturës, teknologjisë dhe gazetarisë. Libri i saj i parë 'G-online' është një manual bazë për komunikimin online, gazetarinë dhe mediat sociale.

Shkruaj një koment

0 Komentet